English

Berisha: Marrëdhëniet me Francën janë të shkëlqyera

Tiranë, 12 dhjetor 2011, NOA/Irma Toptani – Pas kthimit nga Franca ku ndodhej si i ftuar në Kongresin e 20-të të Partive Popullore Evropiane në Marsejë dhe takimeve të shumta atje, kryeministri Sali Berisha riktheu edhe njëherë në vëmendje takimin dhe pritjen e ngrohtë që i rezervoi kryeministri francez François Fillon, apo edhe ministri i Energjitikës, Eric Besson.

Kryeministri Berisha theksoi se Franca, por jo vetëm, ka një interes shumë të madh për Shqipërinë, modelin e saj ekonomik dhe potencialet energjetike dhe turistike të vendit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Teksa foli në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, shefi i qeverisë tha se Shqipëria dhe Franca gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera.

“Franca mbështet aspiratën tonë për integrime euroatlantike dhe në BE”, tha kryeministri, duke nënvizuar se në takimin me kryeministrin francez Fillon, e garantoi këtë të fundit, se procesi i integrimit për Shqipërinë duhet të jetë i bazuar kryekëput në meritë.

“Qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka ka në dorë për të përmbushur të gjitha kërkesat, normat e domosdoshme për procesin e integrimit”, nënvizoi kryeministri. E njoha me bllokimin, që i bëri opozita, një rast unik në Evropë, këtij procesi duke bllokuar për dy vjet ligjet me 3/5, dorazi bllokimin për dy vite me radhë të marrjes së statusit të kandidatit”, vërejti kreu i mazhorancës.

Zoti Berisha i njoftoi deputetët demokratë se e ka njohur homologun francez edhe me kompromisin e arritur mes mazhorancës dhe opozitës, duke theksuar se tashmë opozita po bashkëpunon normalisht në komisionet për reformën zgjedhore dhe atë për ndryshimin e rregullores së parlamentit sipas asaj të PE-së.

Sipas kryeministrit, përfaqësuesit shqiptarë në Komisionin e Venecias do të mbështetin sugjerimet e çmuara për reformën zgjedhore.

“Diskutuam për përpjekjet tona të përbashkëta në intensifikimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike, kulturore, ndërkohë që suksesi i investimeve të kompanive franceze në Shqipëri është tashmë i dëshmuar”, tha ai.

Kryeministri Berisha, risolli në vëmendje se kryeministri Fillon e kishte garantuar se do të bëjë gjithçka për inkurajimin e investimeve franceze në Shqipëri në fushën minerare.

“Fillon shprehu vlerësim për modelin ekonomik të Shqipërisë, rritjen ekonomike, çka përbëjnë një premisë shumë të rëndësishme për inkurajimin e investitorëve francezë në Shqipëri. Ne vendosëm të shqyrtojmë bashkëpunimin me investime në fushën e bujqësisë, ku më siguroi se Franca do të na asistojë me agjencitë e saj në projektet e drurëve frutorë dhe arroreve”, nënvizoi kryeministri.

Ai foli edhe për takimin, që i kishte rezervuar ministri francez i Energjitikës, Eric Besson, të cilin Berisha e kishte njohur me potencialet energjetike në vend, dhe ambicien e Shqipërisë për t’u shndërruar në një superfuqi të vogël energjetike në rajon.

“Gjatë qëndrimit në Francë pata mundësi t’i adresohem publikut frankofon në botë përmes TV5 si dhe mediave të tjera të Francës”, tha kryeministri, duke folur më pas për kongresin e 20-të të PPE-ve i mbajtur në Marsejë, një ditë para samitit të liderëve të BE-së në Bruksel.

“Në Marsejë u zhvillua Kongresi më i rëndësishëm i Partive Popullore Europiane, të cilin presidenti francez Nicholas Sarkozy e cilësoi si kongresin më të rëndësishëm, që i parapriu firmosjes së traktatit të ri mes vendeve të BE-së. Ky traktat u votua në Bruksel, por e vërteta është se ajo u vendos në Marsejë në samitin e PPE-ve. Në këtë samit u diskutua për emergjencën e dhënies së përgjigjes për krizën financiare në vendet e eurozonës dhe për rikthimin e besueshmërisë tek monedha evropiane”, tha zoti Berisha.

Ai e vlerësoi pjesëmarrjen në këtë kongres si një rast të mirë ku gjatë takimeve të shumta bilaterale të diskutonte mbi bashkëpunimin bilateral si dhe të kërkonte mbështetje, e inkurajonte investitorët në fushën e energjisë.

mit/NOA

KOMENTE