English

Dëgjesat për Avokatin e Popullit, kandidatët kërkojnë të prezantohen vecmas

Tiranë, 12 Dhjetor 2011 NOA - Pas seleksionimit të 12 kandidaturave për Avokatin e Popullit nga komisioni ad-hoc, Partia Socialiste ka organizuar mëngjesin e sotëm seancën dëgjimore me të përzgjedhurit.

Seancën e nisi anëtarja e komisionit, deputetja Eglantina Gjermeni, që më pas vijoi sipas radhës së përcaktuar me short, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Kandidati i parë që bëri prezantimin ishte Ksenofon Kristafi. Çdo kandidat për rreth 15 minuta do të prezantojë vizionin e tij për detyrën që aspiron. Pas kësaj është parashikuar edhe një kohë pyetjesh rreth 10 minuta nga ana e komisionit, në funksion të shtjellimit të vizionit të paraqitur apo shpjegimeve të ndryshme që do të nevojiten për procesin e përzgjedhjes.

Me kërkesë të vetë kandidatëve, për të ruajtur të drejtën e autorit për secilin nga prezantimet, u procedua duke i kaluar kandidatët në një tjetër ambient për të ardhur sipas radhës në sallën ku do bëheshin prezantimet.

I gjithë ky proces që ende vijon, pritet të përfundojë me përzgjedhjen e një numri edhe më të vogël kandidaturash.

Të pranishëm në këtë dëgjesë publike kanë qenë deputetë të grupit parlamentar socialist si dhe përfaqësues të trupit diplomatik. Më saktësisht është bërë pjesë e dëgjesës publike Ambasadori i Danimarkës z. Karsten Ankjaer Jensen, ambasadori i BE, Etore Sequi, si edhe përfaqësues nga OSBE dhe Ambasada Angleze.

Kreu i PS, Edi Rama i pranishëm në këtë dëgjesë në një prononcim për median u shpreh se është i pranishëm aty si një dëgjues:

“Procesi flet vetë për transparencën dhe cilësinë e tij. Unë në rolin e dëgjuesit bashkë me të tjerët këtu jam i mbresuar nga serioziteti i atyre që kanë paraqitur deri tani vizonin e tyre për Avokatin e Popullit. Dhe u qaj hallin anëtarëve të komisionit sepse do të kenë një zgjedhje të vështirë për të bërë, pasi kandidaturat janë profile të ndryshme, por në përmbajtje kanë profesionalizëm, kanë seriozitet dhe japin shenja shumë domethënëse që janë në lartësinë e sfidës.”

e.t/NOA

KOMENTE