Beograd, 12 dhjetor 2011, NOA – Dialogu teknik mes Prishtinës dhe Beogradit mbetet pika kyç, nga e cila varet edhe vijueshmëria e procesit integrues të Serbisë në Bashkimin Evropian, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Ndërsa liderët e BE-së gjatë samitit të së premtes i dhanë urdhëresat e fundit për Serbinë, pritet, që kjo e fundit të bëjë gjithçka për respektimin e marrëveshjeve të arritura me Kosovën në Bruksel, si dhe të respektojë marrëdhëniet e reciprocitetit të mirë me shtetin e ri.
Shtypi i Beogradit flet për tre kushtet që i janë vënë Serbisë në mënyrë që ajo të mundet të marrë statusin e kandidatit në muajin mars, dhe të tre ata lidhen me Kosovën.
Zyrtarët e Këshillit Evropian bënë me dije gjatë javës që shkoi se janë gati gati të nisin raundin e ri të bisedimeve teknike, porse kjo sipas tyre realisht pritet të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm.
Këtë zyrtarët e BE-së e bënë me dije për gazetën serbe “V.novosti”.
Ndërkohë, ndërmjetësi i BE-së, në dialog, Robert Cooper pritet të kthehet nga Mianmar, gjatë kësaj fundjave.
mit/NOA