Baku, Azerbajxhan, 12 Dhjetor 2011, NOA/ Rid Bulku – Është 87 vjeçe dhe kur fitoi ajo e para garën e famshme të këngës në Eurovizion, ishte 31 vjeçe.
Tani, kandidon sërish për t’u rikthyer pas 57 vjetësh në të njëjtën garë, por nuk pranohet nga juria sepse kënga që është prezantuar nuk ka ritme dhe elementë modernë për të qenë e denjë në Eurovizion 2012.
Kështu kampionia 87 vjeçare e Eurovizionit, gruaja zvicerane e moshës 87 vjeçare, Lys Assia e cila ishte personi i parë që fitoi garën e këngës në Eurovizion, dështoi me ofertën e saj për t’u rikthyer në garën e përvitshme. Ishte viti 1956 kur ajo fitoi Eurovizionin e parë, me këngën e saj “Refrain” raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Edhe pse në moshë të thyer, pasionin për këngën s’e ka shuar kurrë ndaj po shpresonte që të kthehej vitin e ardhshëm në Azerbajxhan.
Duke pranuar konkurrencën, Lys Assia u fut në garën e audicionit që u bë për të përfaqësuar Zvicrën. Mes 14 rivalësh e rivalesh ajo u rendit e teta. Juria tha se baladës së saj “Ishte jeta ime”, i mungonin elementet moderne ndaj dhe e përjashtoi nga gara.
Vitin e ardhshëm në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku do të zhvillohet Eurovizion 2012. Ky qytet shtrihet në pjesën jugore të gadishullit Abseron dhe numëron mbi dy milionë banorë. Së bashku me rrethinat, Baku ka rreth 3 milionë banorë. Arsyeja e një shtimi të tillë është numri i madh i refugjatëve dhe personave të zhvendosur nga rrethe të tjera, fenomen që ka ndodhur edhe në Shqipëri 20 vitet e fundit, ku Tirana si qytet ka rreth 600 mijë banorë dhe në rrethina numërohen edhe rreth 600 mijë të tjerë.
r.b/NOA