Beograd, 12 dhjetor 2011, NOA – Ndërkohë që BE e ka bërë të qartë se pa respektimin e shtetësisë së Kosovës Serbia nuk ka gjasë të anëtarësohet në familjen evropiane, edhe zëvendëskryeministri serb në dorëheqje, Bozhidar Gjeliç deklaroi se Serbia nuk e ka të garantuar marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE as në muajin mars të vitit të ardhshëm.
“Nëse më pyesni nëse ka ndonjë paralajmërim për marrjen e statusit kandidat, përgjigjia ime është Jo”, tha Gjeliç për radion beogradase B92, cituar nga KTV.
Zëvendëskryeministri serb në ikje nënvizoi se në qoftë se Serbia vazhdon të këmbëngulë në respektimin e Rezolutës 1244, atëherë është e vështirë që të arrihet ndonjë marrëveshje rreth përfaqësimit rajonal të Kosovës.
“Nëse nuk ndryshojmë pozicionin, thjesht nuk do të mund të marrim statusin e kandidatit, por që kjo nuk do të thotë se dialogu të mos vazhdojë”, tha Gjeliç.
NOA