Tiranë, 12 dhjetor 2011, NOA - Pas konsensusit për reformën zgjedhore, ndryshimin e rregullores së Kuvendit dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 3/5-sh, pozita dhe opozita i kanë çelur sot dritën jeshile edhe nisjes së punës për hartimin e planit të ri të veprimit për përmbushjen e 12 kritereve kyç për marrjen e statusit të vendit kandidat, në pranverën e vitit të ardhshëm, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës në Komisionin Parlamentar të Integrimit kanë rënë dakord të bashkëpunojnë për përmbushjen e 12 rekomandimeve të KE-së, me lajtmotiv marrjen e statusit të vendit kandidat.
Kështu gjatë seancës së paradites në Komisionin Parlamentar të Integrimit, ku merrte pjesë edhe kreu i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu theksoi se dikasteri i saj, nën mbikëqyrjen e Komisionit të Integrimit do të bëjë gati planin e ri të veprimit për vënien në jetë të 12 rekomandimeve, në fund të muajit janar të vitit të ardhshëm.
Ajo i kërkoi deputetëve të opozitës të bashkëpunojnë me qëllim që axhenda e integrimit të jetë gati për t’iu dorëzuar Komisionit Evropian në muajin shkurt.
“6 rekomandime nga 12, janë përgjegjësi direkte e ministrisë që unë drejtoj. 5 nga prioritetet e vendosura janë ligjet me 3/5, dhe kanë të bëjnë me situatën politike në vend”, u shpreh ministrja e Integrimit.
Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, shprehu gatishmërinë e opozitës për të bashkëpunuar për përmbushjen e 12 kritereve të KE-së, ndërsa shprehu pakënaqësinë e tij për faktin se në delegacionin shqiptar pranë Komisionit të Venecias u lanë jashtë deputetët e opozitës.
mit/NOA