Tiranë, 12 dhjetor 2011, NOA/Arjola Ymeraj/ Zyra e Shtypit e Kryeministrisë ka dhënë informacione në lidhje me shëndetin e kreut të qeverisë. Në njoftimin e kryeministrisë theksohet se z. Sali Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ajo që ndodhi në Pallatin e Kongreseve lidhet me një moment dobësie të shkaktuar nga një virozë.
Më poshtë njoftimi i plotë i Zyrës së Shtypit të Kryeministrisë
“Sot në mbrëmje kryeministri Berisha pati një gjendje lodhjeje në përfundim të fjalës së tij me rastin e 21 vjetorit të PD. Pas një konsulte mjekësore u konstatua një gjendje lipotimie(debolese), e lidhur me një virozë për të cilën kryeministri është mjekuar gjatë ditëve të fundit. Konsulta mjekësore tregoi parametra normale dhe
gjendje te stabilizuar.
Kryeministri Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe para largimit nga Pallati i Kongreseve konsumoi një kafe me miq dhe të ftuar dhe me pas u kthye në apartamentin e tij.
Kryeministri Berisha shpreh mirënjohje të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PD, miqve dhe të ftuarve në përvjetorin e krijimit të PD, për interesimin e treguar dhe uron dhe njëherë gëzuar festën”.
a.y/NOA
Në foto: Kryeministri gjatë momentin që nuk u ndje mirë në Pallatin e Kongreseve