English

Meidani: Çdo parti duhet të qeverisë me mandat të shkurtër

Ish-presidenti Rexhep Meidani del me një hipotezë të re, risi në politikën shqiptare. Ai vlerëson se secila forcë politike në vend, duhet të drejtojë vendin për periudha të shkurtra.

“Çdo forcë politike e mira është të qëndrojë vetëm për një kohë të shkurtër dhe unë do të uroja që PS të qëndronte vetëm 4 vjet në mandatin e parë, pastaj të bëhej rotacioni i një force tjetër”, - thotë z.Meidani dhe shton: “Nëse do të kishim rotacione të tilla të forcave politike qeverisja do të ishte më e mirë institucionet do të bëheshin më të fuqishme, shkalla e korrupsionit në administratë do të ishte më e ulët”.

Më poshtë ndiqni të zbardhur intervistën që z.Meidani dha për emisionin e mbrëmjes së sotme “Fakt” në UTV Neës, të gazetarit Çim Peka:

Tek Kongresi elektoral i vitit 2009, pretendohet se ju i dorëzuat z. Rama një libër të madh i cili është një program i Partisë Socialiste. Si qëndron e vërteta?

Këto janë prodhime të medias. Në atë kohë një fondacion që ndërtoi Partia Socialiste nuk arriti të marrë atë frymëmarrje siç mendonim një pjesë e anëtarëve të drejtimit të këtij fondacioni. Në këtë fondacion janë bërë shumë aktivitete. Janë bërë 3 konferenca shkencore për probleme ekonomike, financiare të politikes monetare, janë bërë për politikën e jashtme, për probleme sociale. Në konferenca të tilla përveç intelektualeve, anëtarët e Partisë Socialiste, si dhe simpatizantë të PS. Në të gjitha këto konferenca ka pasur referime, ka pasur debate për çështje të caktuara. Të gjitha këto materiale janë përmbledhur në këtë dosje ose përmbledhje. Çdo gjë lidhej me filozofinë e këtij fondacioni dhe të intelektualëve të fushave të ndryshme. Nuk ishte program qeverisës, ishte vetëm një material i debatuar midis specialistëve të fushave të ndryshme, i cili mund të shfrytëzohej për të ndërtuar programin elektoral. Ai ka qenë vetëm material bruto për çështjet e diskutuara. Mbi këtë duhej të ndërtohej programi elektoral. Në qoftë se është konsideruar material elektoral, kjo është bërë nga media.

A mund të ketë qenë ky material i përdorur nga z. Rama në kongresin e fundit të mbajtur para pak ditësh, kongres tek i cili u ngjall një debat për z. Meidani, për një deklaratë që keni bërë ju para pak ditësh se pretendimi i këtij programi për 300 mijë vende të reja pune është i pamundur. Për këtë deklaratë tuajën jeni akuzuar nga deputetë të cilët kanë qenë përkrahës të fortë të z. Rama, se tashmë ju jeni ulur në prehrin e z. Berisha?

Natyrisht që kjo nuk është e mundur, jo vetëm intelektualisht por edhe politikisht nuk ka fare rëndësi. Nëse ka diçka që është e drejtë dhe nëse kryeministri aktual

është duke bërë një gjë të drejtë, unë do të them fjalë pozitive. Nëse do të ketë diçka që do me duket e padrejtë, përsëri do të shfaq mendimin tim i cili mund të mos jetë ai absoluti dhe në rastin konkret nuk ka fare rëndësi se, si janë deklaruar në kongres. Më shumë është dobësi e këtyre individëve se sa vlerësimi im. Vlerësimi im nuk ishte për të goditur njeri, ishte një vlerësim mbi koston e vendit të punës, me një logjikë fare shkencore. Në një periudhë 4-vjeçare për të hapur mbi 300 mijë vende pune duhej në dispozicion një fond me një shumë që nuk e ka në dorë mjedisi shqiptar, qoftë privat qoftë publik. Edhe gjithë kjo ishte me rezervat përkatëse. Në të gjitha vendet e botës kur pretendohet të hapen vende pune, shifrat janë shifra fare modeste. Që të flasësh për 300 mijë vende pune, nëse llogarit koston dhe shifrën e propozuar nga PS, do të thotë që përqindja e vendeve të hapura ndaj atyre që janë aktuale, është në zonën nga 13 në 15 deri në 30 për qind. Në asnjë vend të botës kur një forcë politike vjen në pushtet nuk mund të pretendojë që mund të hapë mbi 15 për qind të vendeve të punës.

Ju gati-gati jeni zgjedhur sekretar i përgjithshëm i PS-se, pa ju pyetur paraprakisht. Si ka mundësi që ju zgjedhin, ua bëjnë fakt të kryer pa ju pyetur paraprakisht?

Çështja se pyetesh a nuk pyetesh nuk ka fare vlerë. Media i ka dhënë një farë pompe kësaj çështje fare të parëndësishme. Unë nuk kam qenë në Shqipëri, kam qenë në Kroaci por unë në çdo rast mund të them që nëse ka nevojë për ndihmën time, un do të them ashtu siç e ndjej, nuk i nënshtrohem asnjë trysnie, nuk dua t’i bëj qejfin njërit apo tjetrit. Po qe se kjo këshillë kërkohet brenda Këshillit të të Urtëve apo në mënyrë individuale unë përsëri do të isha i gatshëm, dhe kjo nuk është vetëm për Partinë Socialiste, por për çdo strukturë apo individ që kërkon ndihmën time, kur unë kam mundësi ta jap këtë ndihmë.

I fiton PS-ja zgjedhjet me në krye Edi Ramën apo jo?

Kjo është paksa e vështirë, që të bësh prognozë që sot. Unë mund të them që me këtë sistem zgjedhor kërkohet bashkim jo vetëm brenda forcës politike, por kërkohet bashkim dhe i forcës kryesore politike me forca të tjera, me programe të ngjashme me aspirata të ngjashme. Në këtë kuptim unë do të thoja që këtë e kuptoi më mirë Partia Demokratike dhe Sali Berisha. Në 2009 me këtë lloj sistemi zgjedhor ai afroi të gjitha partitë që ishin të gatshme për të bashkëpunuar në atë Aleancë me Partinë Demokratike. Këtë nuk e ndjeu Partia Socialiste dhe dyshoj që kjo nuk është kuptuar siç duhet nga drejtimi aktual i PS-së. Mund të them që për të bërë bashkim, kërkohet dëshirë për të bashkëpunuar, kërkohet më shumë sjellje njerëzore kërkohet më shumë transparencë më shumë hapje. Në këtë kuptim ende nuk mund të them që mund ta realizojë një gjë të tillë, plotësisht Edi Rama. Pavarësisht plotësimit të këtyre kushteve që përmenda më sipër, që janë të rëndësishme për një parti politike, veçanërisht për një parti që ka orientimin majtas. Situata aktuale në Evropë është një situate kritike dhe kjo mund ta bëjë shumë më të mundshëm kthimin e PS-së në qeverisje, por në kushte të tilla qeverisja do të jetë e vështirë. Me shifrat aktuale akoma nuk duket që jemi në këtë situatë. Në këtë situatë të vështirë është Greqia nga e cila po goditet emigracioni shqiptar, një pjesë dhe po kthehet. Unë mund t’ju them që kam qenë shumë i tronditur kur lexova një nga intervistat bombë të ministrit të Jashtëm francez, i cili thotë se nëse nuk arrihet të administrohet kjo krizë me shpejtësi, madje brenda këtij viti, kjo mund të godasë seriozisht euron, euro mund të humbasë të gjithë forcën e vet bashkuese të vendeve anëtare të eurozonës, pra mund të shpërbëjë eurozonën. Nëse shpërbëhet eurozona mund të shpërbëhet dhe Bashkimi Europian. Të njëjtin pohim e kam ndeshur dhe tek Zhak Atalie, ish-presidenti i BERZH-it. Ai shkon pak me tutje dhe thotë që nëse kjo nuk zgjidhet deri me 24 dhjetor, euro do të vdesë.

Në rast se në Shqipëri nuk vjen kjo krizë, momentalisht e majta me z. Rama e ka të vështirë të fitojë?

Nëse nuk arrihet që forcat politike që janë më majtas ose në qendër dhe nëse afrohen stresime të tjera në mbështetje të Partisë Socialiste, ose nëse nuk arrihet të gjendet një bashkëveprim në këtë elektorat të majtë i cili sot është i copëzuar, duket e vështirë. Po ashtu mundësi tjetër, nëse forcat e së majtës arrijnë të krijojnë një koalicion, prapë është e mundshme që PS-ja së bashku me aleancën e forcave të majta mund të fitojnë zgjedhjet dhe të ndërtojë së bashku qeverisjen por kjo nuk do të thotë se këto dy grupime duhet të zgjedhin si kryeministër atë që është kryetar i Partisë Socialiste.

Në analizën tuaj po e shikojmë të pamundur Edi Ramën si kryeministër?

Unë nuk e them këtë, unë po bëj analizën që kështu siç është, në këtë situatë duket akoma larg, nuk do të jetë fare e mundshme nëse do të jetë një situatë tepër e vështirë Europën dhe për Shqipërinë. Nuk e uroj as për Evropën e aq më pak për Shqipërinë.

Nuk e uroni se Europa hyn në krize apo se Rama bëhet kryeministër?

Ajo lidhet me qytetarin, s’ka fare rëndësi se kush bëhet kryeministër. Në qoftë se qytetari do të vuajë, nëse jeta ekonomike në Shqipëri bëhet problematike, nëse standardi i jetës për qytetarin ulet, të gjitha këto nuk kanë interes më, jo vetëm për mua, por për një pjesë të politikës. Nëse goditet qytetari ç’rëndësi ka forca politike. Për mua ka rëndësi ai që qeveris më mirë. Ka rëndësi sa mbështetet rritja e standardit të jetesës. Çdo forcë politike e mira është të qëndrojë vetëm për një kohë të shkurtër dhe unë do të uroja që PS të qëndronte vetëm 4 vjet në mandatin e parë, pastaj të bëhej rotacioni i një force tjetër. Nëse do të kishim rotacione të tilla të forcave politike qeverisja do të ishte më e mirë institucionet do të bëheshin më të fuqishme, shkalla e korrupsionit në administratë do të ishte më e ulët.

KOMENTE