Nga Gani Qarri
Qëndrimet e ngarkuara me urrejtje antinjerëzore dhe antikombëtare ndaj shqiptarëve,të përgatitura me shumë kujdes, hollë e gjatë dhe për shumë vite, nga akademitë shkencore të shtetit serbë të cilat u realizuan me përpikëri në mënyrë institucionale nën ekzekutimin e qeverive-antishqiptare, pushtuese sllave, tash e 100 vjet , kanë komplikuar shumë çështjen e lirisë së Kosovës në veçanti dhe asaj të shqiptarëve në përgjithësi.
Në këto komplikime përfshihet edhe çështja kontradiktore e burgosjes së liderit karizmatik të AAK-së z.Ramush Haradinajt, e cila me veçantin e kompleksitetit të pashpjegueshëm të saj, ka arritur deri aty sa të mbajë të mbërthyer ndër vite, meteorin e shpresave kosovare, i cili lindi nga qielli i këtij dheu të shumëvuajtur, për të mbrojtur popullin nga pushtimet dhe egërsia e sundimeve barbare sllave.
Derisa ai kryente me përkushtim funksionin e Kryeministrit të qeverisë së sapoformuar të Kosovës, duke u bërë shembull i suksesit dhe qeverisjes së mirë të vendit, me 5 mars të vitit 2005, në kohën kur sapo kishte filluar të dëshmonte në vepër,vlerat e instalimit të udhëheqjes së shtetit ligjor, atij iu dorëzua aktakuza për krime lufte,i cili pa hezitim dhe vullnetarisht u paraqit në Gjyqin e Tribunalit të Hagës.
Siç dihet për rastin e parë të gjykimit,edhe pse hetimet për mbledhjen e fakteve kundër tij, do të zgjasnin, 3 vjet e më tepër, që nga 5 marsi i vitit 2005 deri më 3 prill të vitit 2008 kur edhe u mbajt gjykimi i shkallës së parë, përkundër 27 akuzave të ngritura,në mungesë të fakteve,nga shkalla e parë e gjykimit të mbajtur me 3 Prill të vitit 2008, ai do të lirohej nga të gjitha akuzat, si i pafajshëm për t’u kthyer i shpërlarë nga mëkatet e ngarkuara dhe me triumfin e fituar të pafajësisë në atdhe.
Por përkundër këtij fakti,lirimi i tij do të zgjaste vetëm deri më 21 korrik të vitit 2010,kur pas ankesës së Prokurorisë, Dhoma e Apelit anuloi pjesërisht vendimin e shkallës së parë për pafajësinë e dhënë nga ajo vetë dhe derisa ai tanimë bënte detyrën e kryetarit të AAK-s, partisë kryesore opozitare,mu në kohën kur disa politikan që moti e kishin harruar kombin dhe hallet e tij të shumta, dhe politikën e kishin shndërruar në burim biznesi për përfitime personale,për çudinë e të gjithëve, Gjykata do ta thërriste atë,njeriun e dëshmuar të sakrificave për komb dhe luftëtarin e pakompromis në luftë dhe paqe për atdhe,që për herë të dytë të paraqitej në Tribunalin e Hagës, për rigjykim.
Kurse në anën tjetër, po kjo Gjykatë ndërkombëtare në Hagë,nuk ndërmori asgjë kundër ekzekutorëve serb të cilët mbushën varrezat masive gjithkund nëpër Serbi me trupa shqiptarësh të pafajshëm,të vrarë e kidnapuar nga të gjitha vendbanimet e Kosovës, organet e të cilëve për ditë e më tepër dëshmohet se u janë nxjerrë dhe është bërë tregti me to nga shteti i Serbisë, siç vijnë së fundi dëshmi edhe nga varreza masive në Batajnicë, dhe gjithandej varrezave të mbushur me kufoma shqiptarësh nga Kosova nga të cilët, edhe sot rreth dy mijë sish, as pas 12 vitesh nuk janë kthyer në atdhe, derisa presioni në rritje ndaj shqiptarëve me dhe pa faj, vazhdon.
Presioni nga Gjykata e Hagës,vazhdon edhe kundër Ramush Haradinajt, madje edhe pas një gjykimi të gjatë e të mundimshëm nga ana e saj, pasi që një herë atë e kishte shpallur të pafajshëm, kurse tani pa arsye bindëse dhe me një aktakuzë të ngritur ad-hoc e në mënyrë të pashpjegueshme,e cila çuditërisht u bë e njohur mu në kohën kur do të fillonin përgatitjet e fushatës elektorale, për zgjedhjet e reja dhe të parakohshme, që do të mbaheshin në vend, para syve të intelektualëve tanë "memec" dhe nën hijen e zërit të pa ngritur të shqiptarëve, si dhe heshtjes institucionale të Kosovës,rigjykimi i tij do të fillonte për herë të dytë, më 18 Gusht të këtij vitit 2011 për të vazhduar më 13 shkurt të vitit 2012 në Hagë.
I vetmi lajm i mirë i këtyre ditëve rreth këtij rasti, është njoftimi qoftë edhe për lirimin e përkohshëm të Ramush Haradinajt, me rastin e festave të fundvitit, lajm ky që do ta gëzonte pa masë gjithë familjen por në mënyrë të veçantë, Trimin e ri,djalin e vogël,tani gati një vjeçar të Ramushit, i cili ndoshta do të shihet përherë të parë me të Atin dhe njihet përzemërsisht me të duke u përshëndetur si burrat e kohës, dorë më dorë, ngase Trimi i vogël, lindi pa pranin e prindit, Trimit të madh, i cili akoma mbahet, padrejtësisht në Hagë.
Siç edhe është e njohur tanimë për gjithë opinionin e gjerë, Ramush Haradinaj është i pari dhe i vetmi nga të gjithë të akuzuarit e Gjykatës së Tribunalit të Hagës, i cili është ftuar për herë të dytë në rigjykim, por megjithatë duke shpresuar se edhe drejtësia e Hagës bazohet në fakte të argumentuara dhe prova bindëse, urojmë që ky vendim për lirim të përkohshëm të bëhet sa më parë, vendim i vërtetë për lirimin e tij të përhershëm, vendim i paluajtshëm dhe përfundimtar edhe për Gjykatën e Hagës.