English

PD-PS bien dakord për 12 rekomandimet e BE, të gjitha debatet

Tiranë, 12 dhjetor 2011, NOA/ Ariola Ymeraj Update – Komisioni i Integrimit, PD-PS bien dakord për rishikimin e Planin të Veprimit për 12 prioritetet e Komisionit Europian, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Anëtarët e Komisionit Parlamentar të Integrimit, të mazhorancës dhe opozitës, në shumicë absolute u shprehën sot të gatshëm të bashkëpunojnë për rishikimin e Planit të Veprimit, plan ky që përcakton të gjitha iniciativat dhe hapat e ndërmarrë nga qeveria dhe institucionet për përmbushjen e 12 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Europian për Shqipërinë.

E ftuar në këtë komision, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu prezantoi dy mënyra për bashkëpunim konkret opozitë-mazhorancë, duke i lënë mundësi zgjedhjeje opozitës për të vendosur, por duke këshilluar vendosjen e një afati kohor për çdo hap të hedhur, pasi sipas, dërgimi i Planit të Veprimit në Bruksel duhet të bëhet brenda shkurtit të vitit të ardhshëm.

“Pas letrës së parë që e kemi sjellë vitin e kaluar, drejtuar kryetares së atëhershme, znj.Meksi ku kërkonim bashkëpunim për monitorimin e Planit të Veprimit dhe që s’morëm asnjë përgjigje, e kemi përsëritur dhe po e rikonfirmojmë këtë ftesë tani, kur klima politike ka ndryshuar dhe ku opozita është shprehur se do të jetë bashkëpunuese në këtë proces”, tha ministrja para se të prezantonte konkretisht mënyrat e bashkëpunimit:

Mënyra e parë

Ministria e integrimit ka ngritur tashmë grupin e punës për rishikimin e planit të veprimit. Për çdo prioritet ne kemi caktuar një institucion, është mënyra me të cilën është monitoruar deri tani Plani i Veprimit. Pra, si institucion përgjegjës ju shihni qeverinë ose ministrinë respektive që është përgjegjëse për propozimet apo detyrimet e saj dhe në këtë grup pune do të ketë përfaqësues nga ministritë, institucionet dhe shoqëria civile, të angazhuar për plotësimin e prioriteteve. Me mënyrën e parë, roli i ministrisë së integrimit është koordinimi dhe mbështetja, ndërsa ai i komisionit është shqyrtimi i planit të veprimit dhe monitorimi për zbatimin e tij. Ne shqyrtojmë, monitorojmë, sjellim materialin tek ju për komente, komentet merren dhe pasqyrohen në Komisionin Ndërministror të Integrimit për të mbërritur në një miratim të sugjerimeve tona të përbashkëta dhe për ta miratuar bashkërisht.

Mënyra e dytë

Rishikimi i planit mund të bëhet në mënyrë të përbashkët mes ministrisë dhe parlamentit, kryesisht mes komisionit parlamentar të integrimit, do të jetë ky komision që do të jetë përgjegjës për rishikimin dhe përmirësimin për prioritete nga 1 deri 5 që kanë të bëjnë me jetën parlamentare. Këtu drejton komisioni i integrimit dhe do të ketë ndihmën teknike të strukturave tona. Procesi i punës për prioritetet nga 6 deri në 12, do të drejtohet nga ministria e Integrimit, sepse këto prioritete kanë të bëjnë me masat e marra nga institucione dhe agjenci qeveritare”.

Prezantimi i këtyre dy mënyrave u shoqërua me debate konstruktive nga të dyja palët e pranishme në komision:

Deputeti i opozitës Taulant Balla tha se “opozita është e gatshme të bashkojë forcat me mazhorancën me qëllimin kryesor përmbylljen e Planit, monitorimin dhe implementimin e tij. Nuk jemi dakord të ndajmë prioritetet në 5 të parët Komisionit të Integrimit dhe 7 të dytët Ministrisë, formula duhet të jetë një dhe e vetme për të gjitha prioritetet. Të gjithë bashkë i kemi kapacitetet për të bërë një analizë të thellë, për të vendosur afate të qëndrueshme, në mënyrë që të nxjerrim një material cilësor dhe jo një material sa për të gënjyer Brukselin”.

Kryetari i Komisionit, Ditmir Bushati shtroi shqetësimin nëse qasjet e prezantuara nga Ministrja arrijnë të përfshijnë 4 elementët që ai i konsideroi të rëndësishëm: Rishikimin e Planit të Veprimit, dakortësinë për të, aprovimin dhe monitorimin.

Duke reaguar lidhur me këto ndërhyrje të deputetëve të opozitës, ministrja Bregu tha se kishte ardhur në këtë komision me dëshirën për t’i lënë opozitës vendimmarrjen për mënyrën e bashkëpunimit lidhur me Planin e Veprimit, kështu që nuk mund të paragjykohej për diçka të panisur ende:

“Besoj që asnjë argument politik i konsumuar apo jo i thënë hapur, fshehur, me ironi, pa ironi, me tone të ngritura ose jo, nuk e dëmton këtë qëllim të ardhjes sime sot. Kam ardhur të zgjidhni metodën sesi doni të rishikoni planin e veprimit prej 12 pikash: doni ta rishikojë ministria dhe t’ju sjellë listën e prioriteteve, ato që janë zbatuar dhe ato që nuk janë zbatuar; doni të punojmë në grupe të përbashkëta pune; doni të thërrisni të gjithë përgjegjësit e institucioneve të linjës; të bëjmë një kalendar të përbashkët dhe ta rishqyrtojmë në komision; doni që ta rishikojmë me takime permanente çdo javë, çdo muaj dhe të raportojmë; të mblidhemi së bashku dhe të vendosim për faza të tjera të monitorimit”, tha më tej ministrja duke sqaruar se ardhja në komision nuk kishte si qëllim të ndante fajin apo përgjegjësitë politike, por shprehjen e gatishmërisë së qeverisë dhe ekzekutivit për të bashkëpunuar në formën që opozita e mendon më efikase.

Rreziqet që sipas saj mbeten permanente lidhur me rishikimin e Planit të Veprimit janë:

“Zgjatja në pafundësi e procesit, mbetja peng i debatit në komisione të tjera apo debatit brenda partive apo forcës politike dhe ajo që ndodhi vitin e kaluar, kur pavarësisht se u morën propozime nga shoqëria civile dhe inputi nga komisioni parlamentar i integrimit, përsëri plani i veprimit u quajt i papërfunduar për faktin e thjeshtë se në periudhën maj-qershor, kur duhet të kishim bërë një mbledhje të fundit, komisioni nuk u mblodh për arsye që tashmë dihen”, tha ministrja duke ritheksuar se opozita do të ketë në dispozicion të gjitha hapësirat e nevojshme për të bashkëpunuar në monitorimin, zbatimin, implementim apo kontrollin e Planit, mjaft që opozita të zgjedhë rrugën që i vjen më për shtat për bashkëpunim.

“Nëse në këtë takim të sotëm, më kishit thirrur për të treguar që ju ishit të gatshëm për të bashkëpunuar, unë këtë e mora të mirëqenë para se të vija këtu sot, e kam marrë të mirëqenë qëkur vendosët të vinit në parlament, të votonit ligjet me 3/5, të merrnit pjesë në tryezat për reformën zgjedhore. Pra nuk besoj që sot, mua dhe ambasadorin Sequi na keni thërritur për të treguar që opozita është e gatshme që ka vullnetin për ta çuar përpara integrimin europian të vendit. Duke filluar nga dita e nesërme nëse doni që komisioni i integrimit të jetë “bashkëpronar” (po e quaj kështu) në rishikimin e Planit të Veprimit që do të dorëzohet në Bruksel, a mund të më thoni si do të bashkëpunojmë? A mund të dal nga ky takim me qëllimin e përmbushur të ardhjes këtu si do të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin?” tha ministrja.

Debatet vijuan me deputetin e opozitës Gramoz Ruçi i cili tha se Plani do të jetë i qeverisë dhe opozita vetëm duhet ta monitorojë: “jemi shumë të vonuar në këtë proces, sot na ka mbledhur një letër e Saninos, megjithatë më mirë vonë se kurrë. Kemi plot gjëra që na ndajnë, por kemi një që na bashkon: procesi i integrimit. Kemi gjithë dëshirën e mirë dhe vullnetin politik për të përmbushur të gjitha kërkesat e Komisionit Europian të përfshira në këtë Plan dhe ky nuk është slogan politik, por në procesin e rishikimit të Planit nuk ka ne dhe ju, zonja Ministre, qeveria duhet ta përgatisë dhe opozita duhet ta monitorojë”, tha Ruçi.

Pas këtij qëndrimi dhe qëndrimit të deputetit të mazhorancës Sherefedin Shehu që ishte thuajse në të njëjtën linjë me qëndrimin e Ruçit, komisioni arriti konsensusin për të ndjekur mënyrën e parë të bashkëpunimit të prezantuar nga ministrja Bregu, që i jepte opozitës rolin e monitorueses nëpërmjet Komisionit të Integrimit.

I pranishëm në komision, ambasadori i delegacionit të KE-së Ettore Sequi, shprehu kënaqësinë për arritjen e konsensusit duke thënë se më e rëndësishme ishte arritja e institucionalizimit të hapave që do të hidhen në vazhdim për adresimin e 12 prioriteteve që i kërkohen Shqipërisë. “Vullneti politik ekziston, ajo që duhet tani është hedhja e hapave konkretë në këtë proces. Kjo lidhet me përgjegjësinë tuaj si komision dhe rritjen e kapaciteteve për ta përballuar këtë angazhim. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar, por aspirata për integrim është e juaja”, - tha Sequi.

Në fund të mbledhjes u ra dakord, që ministria e Integrimit do t’i dërgonte brenda ditës së sotme komisionit të integrimit metodologjinë dhe kalendarin e aktiviteteve që Ministria ka parashikuar për këtë proces.

a.ye.t//NOA

KOMENTE