Nga "The Economist"
Zgjedhjet në Rusi nuk janë të destinuara të prodhojnë befasi. As rrugët e saj nuk janë menduar të tubojnë njerëz për t’iu fishkëlluar liderëve politikë. “Demokracia e menaxhuar” e vendit, me media të heshtura, është projektuar të sjellë fitore të mëdha për Vladimir Putinin dhe partinë e tij “Rusia e Bashkuar”.
Por, megjithatë, zgjedhjet për Dumën ruse kanë prodhuar ca zënka: Votat për Rusinë e Bashkuar kanë rënë nga 64 për qind në 50 për qind, duke i dhënë asaj një shumicë të lehtë. Për më tepër, njerëzit kanë mbushur rrugët e Moskës në protestat më të mëdha që ka parë Rusia në vite, duke brohoritur për një “Rusi pa Putinin”, para se policia t’i ndalonte. Protesta më të vogla kanë zënë vend edhe në qytete të tjera, ndërkohë që rreth 17 mijë njerëz pritet të marrin pjesë në demonstratën e 10 dhjetorit – e planifikuar të mbahet në Sheshin Revolucionar, që është hapësira kryesore publike e Moskës, ndonëse Qeveria ka kërkuar ndryshimin e lokacionit.
Këto ngjarje përbëjnë plasaritjen më të madhe në regjimin rus, që nga ardhja e Putinit në pushtet, në fund të vitit 1999. Ato po ashtu ndodhin në kohën kur kryeministri po bën përpjekje të kthehet edhe për një tjetër mandat gjashtëvjeçar në postin e presidentit. Fuqia e Putinit, deri së voni, shtrihej mbi dy themele. Njëri kishte të bënte me atë se, pavarësisht kritikave të qeverisë së tij për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për tolerancë të kleptokracisë, Putini kishte legjitimitet, meqë personalisht ishte shumë popullor. Tjetri ishte se Putini, pavarësisht çmimeve gjithnjë e më të larta të naftës, ishte në gjendje të siguronte standarde, vazhdimisht në rritje, për rusët. Të dyja këto themele tani duken të brishta. Megjithatë, ato nuk do të kumtojnë një fund të pashmangshëm për putinizmin, por, për herë të parë, perspektiva e një Rusie të post-Putinit nuk duket e shkëlqyer. Kjo duhet të jetë një thirrje për zgjim për liderin rus, që t’i përqafojë reformat.
Populli i tij ka dëshirë të zjarrtë për liberalizim. Në sondazhet e fundit, të kryera nga Fondacioni “Pew”, rusët preferojnë të mbështeten në një udhëheqësi të fortë, në vend se demokracia të ofrojë qeverisje të mirë. Nga standardet e udhëheqësve të vendeve të tjera, Putini vazhdon të mbetet popullor, me një rejting në 40 për qind. Një gjë e tillë, siç duket, nuk do ta pengojë atë nga fitorja e presidencës në muajin mars.
Por, një problem i madh për Putinin është se kërkesat për ekonomi dhe për veprimet e tij politike, janë gjithnjë e në konflikt. Në vend që të mbahet më mirë në pushtet, ai ka mbajtur nën kontroll të fortë ekonominë.
Si rezultat, Rusia dhe regjimi mbeten shumë të varura nga nafta dhe gazi. Korrupsioni dhe mungesa e efikasitetit sugjerojnë se buxheti nuk do të balancohet, derisa çmimet e naftës të qëndrojnë në rreth 110 dollarë për fuçi. Normat e rritjes duket të bien. Pa rritjen e standardeve të jetës, zemërimi kundër qeverisë ka të ngjarë të rritet edhe më shumë.
Putini ka dështuar të ndërtojë sistemin e bazuar në rregulla, që ofron siguri ekonomike për investitorët e huaj. Dhe, nuk janë vetëm protestat e kësaj jave arsye për shqetësim – mungesa e vazhdueshme e ligjit në Kaukazin Verior mund të shkaktojë problem jo vetëm për Rusinë, po për gjithë rajonin. Rusia nuk është stabile. Ajo është e ashpër. Derisa cari i saj të mos e reformojë mbretërinë e tij, ajo do të bëhet edhe më e rrezikshme, si për fqinjët, ashtu edhe për vetë Putinin