Tiranë, 12 dhjetor 2011, NOA - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka cilësuar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për Avokatin e Popullit, si një procedurë transparentë dhe një risi për vendin.
Në rrjetin e tij social “Twitter” Rama shprehet se synimi i procedurës së përzgjedhjes është gjetja e njerëzve të aftë për të përballuar detyrën.
“Sot dëgjesa për Avokatin e ri të Popullit. Një eksperience e re për një Shqipëri të re, ku t'i gjejmë punës njeriun jo njeriut punën”, shkruan Rama në rrjetin e tij social. Nga ana tjetër kreu i PS-së komenton dhe përfundimin e procesit. Ai shprehet se shumica e kandidatëve ishin të përgatitur.
“Mbaroi dëgjesa publike. Shumica e kandidateve ishin shume të përgatitur. Komisioni ka punë të vështirë për zgjedhjen më të mirë”, shprehet Rama.
Gjatë ditës së sotme selia rozë bëri dëgjimin e 12 kandidatëve për Avokatin e Popullit, mes të cilëve PS-ja do të përzgjedh kandidaturën më të mirë për ta propozuar në Kuvend.
a.k/NOA