Tiranë, 12 dhjetor 2011, NOA - Arjola Ymeraj/ Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar për gjendjen shëndetësore të kryeministrit Sali Berisha. Në rrjetin social “Twitter”, Rama shpreh keq ardhjen, duke shtuar se shpreson që të mos jetë asgjë serioze. “Sapo dëgjova për sëkëlldinë e Saliut në festë. Ndjej keqardhje dhe uroj sinqerisht që të mos jete asgjë serioze për shëndetin. Te shkuara!”, shkruan Rama në rrjetin social. Reagimi i kreu të PS-së ka ardhur pas ceremonisë së 21-vjetorit të PD-së.
Kryeministri Sali Berisha është momentalisht në gjendje të mirë shëndetësore, disa minuta pasi pati një marrje mendsh teksa fliste në ceremoninë e përvjetorit të 21 të themelimit të PD.
Mësohet se kryeministri e kaloi turbullirën që pësoi teksa ishte duke mbajtur fjalimin e gjatë, i treti vetëm për ditën e sotme, pas atij në Grupin Parlamentar të PD dhe në mbledhjen e parë të Komisionit Shtetëror për organizimin e veprimtarive festive për “Vitin e 100 - vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”.
Axhenda e ngjeshur që kryeministri kishte sot me një mori takimesh zyrtare dhe fjalimesh, mendohet të ketë shkaktuar përkeqësimin momental gjatë ceremonisë por tani ai është në gjendje të përmirësuar.
Pak minuta pasi u largua z.Berisha, ka qenë kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli, e cila ka dalë para të pranishmëve dhe ka deklaruar se gjendja e kryeministrit është e mirë dhe se ai pati një gjendje marrje mendsh për shkak të një gjendje virale gripale. Aktualisht kryeministri ndodhet në shtëpinë e tij, vetëm disa qindra metra larg nga Pallati i Kongreseve.
a.y/NOA