English

Shekulli i Flamurit, Berisha: Të ridimensionohen figurat e kombit

Tiranë, 12 dhjetor 2011, NOA/Irma Toptani - Kur Partia Demokratike kremton sot 21-vjetorin e themelimit të saj në dhjetorin e ftohtë të vitit 1990, kryeministri Sali Berisha mblodhi Komitetin Shtetëror për festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit, duke kërkuar që ky vit të përjetësohet në histori si shekulli i parë i Flamurit Kombëtar Kuq e Zi, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Duke e cilësuar Ismail Qemalin si burrin vizionar që dëshmon mençurinë shqiptare në historinë e Shqipërisë, kryeministri deklaroi se pavarësisht se arritja e kombit ishte e cunguar, e përgjysmuar dhe pa Kosovën në trupin amë, për shkak të konjukturave politike të kohës, Pavarësia qëndron në origjinën e të gjitha ngjarjeve të mëdha të kombit në këto 100 vjet.

Kreu i qeverisë u kërkoi ministrave të punojnë shumë dhe të mbështesin institucionet e ndryshme në mënyrë të tillë, që viti i 100-të i Pavarësisë të jetë motiv i madh për një horizont të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Këtë 100-vjetor ta shndërrojmë në 100 vjetorin e 100 viteve të ardhshme të tjera. Ne vijmë në këtë 100-vjetor, pas një shekulli dhimbjesh sakrificash, por e vërteta është edhe arritjesh më të mëdha në historinë shekullore të kombit, që vjen si një komb i lirë”, tha kryeministri, duke nënvizuar se përfundimi i këtyre sakrificave njëshekullore u kurorëzua me shpalljen e Mëvetësisë së Kosovës, në 17 shkurtin e vitit 2008.

E ndërsa foli për këtë arritje të madhe të shqiptarëve, kryeministri bëri thirrje për rishkrimin e të vërtetave të historisë së pavarësisë, duke ridimensionuar të gjitha figurat më të larta të këtij shekulli, personalitetet e ndritur, që pavarësisht dritëhijeve dhe hatreve të politikës diktatoriale shënuan një histori të madhe qëndrese, mbijetese, luftrash dhe përpjekjesh, të kurorëzuara me Pavarësinë e Kosovës.

“Ndaj ne nuk kemi absolutisht nuk duhet të kemi asnjë kompleks, se fatkeqësia e vështrimit të të vërtetave historike, ishte se ato u përpoqën të vihen në funksion të një çmendurie ideologjike dhe mandej të manipuloheshin sikundër ato nuk ishin. Mendoj se institucionet tona studimore, kërkimore e shkencore, kanë një detyrë të madhe. Andaj ne duhet të paraqesim të gjithë përpjekjet e tyre”, tha kryeministri, ndërsa rikujtoi shprehjen e mençur të ish-kryeministrit britanik, Çurçill, që thoshte se “Sa më mirë e shohim të shkuarën aq më mirë do ta projektojmë të ardhmen”.

Këtu kryeministri vërejti se nuk duhet menduar se studimet duhet të synojnë lartësimin e njërit apo zvogëlimin tjetrit personalitet, pasi përtej kundërshtive dhe armiqësive mes tyre, ata ishin të gjithë atdhetarë të flaktë, që u përpoqën të ndërtonin Shqipërinë e Pavarur dhe shtet.

Duke nënvizuar se festimet e këtij shekulli pavarësie duhet të jenë në lartësinë e duhur, kryeministri Berisha tha është e domosdoshme të ridimensionohen figurat kryesore të këtyre 100-vjetëve Pavarësi të Shqipërisë, si mbreti Ahmet Zogu, Esat Toptani, Hasan Prishtina, e mjaft të tjerë, kontributi i vyer i të cilëve është nëpërkëmbur nga historiografët komunistë.

“Unë besoj se disa prej tyre, Ahmet Zogu, Esat Toptani, Hasan prishtina duhet të kenë praninë e tyre në kryeqytetin e vendit, pasi vërtet pavarësia u bë në Vlorë, por kontributi i tyre ishte i madh kudo”, tha kryeministri.

Shefi i qeverisë tha më tej se ky viti është viti i Flamurit.

“Ne nuk kemi në të tërë trashëgiminë tonë, në të gjitha artet pamore, asgjë më të bukur se këtë flamur. Ky është flamuri më i bukur i botës dhe është jashtëzakonisht interesante se ne edhe Ditën e Flamurit, Pavarësisë e quajmë ditën e Flamurit dhe Himn Kombëtar kemi pikërisht Himnin e Flamurit. Ne kemi një flamur, që rrëfen shpirtin tonë sapo e sheh. Ky flamur në 100-vjetorin e Pavarësisë duhet të valëvitet në çdo ballkon shqiptar në Shqipëri e diasporë. Dhe kjo për të nderuar të rënët e kombit. Nga kryengritjet e mëdha në Kosovë që sollën pavarësinë në Shqipëri, e më pas në luftën në Kosovë e Maqedoni, shqiptarët kanë vdekur mbi këtë flamur. Ka një gjallesë ky flamur, ka një shqiponjë, simbol të gjahut të tij dhe ka në çdo qelizë shpirtra të rënësh”, u shpreh kryeministri duke shpjeguar domethënien e rëndësishme të flamurit Kuq e Zi.

Ky do të jetë Viti i Flamurit Kombëtar, nëpër shkolla, familje, e qendra fëmijësh, tha kryeministri.

Ai lajmëroi se për këtë 100-vjetor pavarësie do të bëhet edhe logoja, e cila do të jetë stampa edhe e një tërësie objektesh që do të prodhohen në vend për këtë shekulli festiv.

“Do të bëhet logoja e 100-vjetorit, dhe do të prodhohet një tërësi objektesh me logon e 100-vjetorit, por duhet të bëjmë gjithçka që Shqipëria 100-vjeçare të ketë pamjen e bukur që s’e ka pasur kurrë më parë. T’i japim një pamje të re, të merituar, që Shqipëria të udhëtojnë në 100-vjet si vend i Pavarur. Të mblidhen sa më shumë mendime, qytetarësh, ekspertësh, dhe ta bëjmë këtë festën e festave”, nënvizoi kryeministri duke thënë se 100-vjeçari vjen njëherë në shekull dhe duhet të jemi në lartësinë e tij, në mënyrë që festën ta prekin tërë qytetet, komunat, brenda dhe jashtë trevave të Shqipërisë.

mit/NOA

KOMENTE