English

Tribalizmi në shoqërinë tonë është një fakt kulturor, jo fetar

Nga Mustafa Nano

Nexhmedin Spahiu kish futur një element fetar të nënkuptuar në tezën time se, “kosovarët e duan Sali Berishën, ngaqë e ndiejnë dhe e shohin si të tyrin, e ngaqë e kanë më të lehtë të njëjtësohen me të”, të cilën unë e kisha mbështetur dhe mbi frazën e Migjen Kelmendit: “kosovarët e duan Berishën se e ka emrin Sali Ramë Berisha dhe nuk e duan Ramën se e ka emrin Edvin Kristaq Rama”.

Po e filloj me ndonjë saktësim. Kam vënë re që këtejpari kanë drojë ta përdorin termin tribu, a thua se është fjala për ndonjë blasfemi. Kjo që them nuk ka lidhje me Spahiun, por me ndoca komentues të hasur aty-këtu në botën on-line e off-line, të cilët kanë parë një qasje përçarëse e sektare në nënvizimin tim. Sipas tyre, të identifikosh e denoncosh natyrën tribale të shoqërisë sonë është një qëndrim përçarës. Për ta, mjafton të përmendësh termin ‘tribu’, dhe merret vesh se ke një qëllim të keq. Këta janë si ata të sëmurët, që bëhen keq kur ua përmendin emrin e sëmundjes. Mirëpo, nuk ka diskutim që është më mirë ta njohësh e pranosh sëmundjen, ndryshe s’mund ta kurosh, e për rrjedhojë ajo zhvillohet e të vë poshtë njëherë e mirë.

E meqë jemi në këtë pikë, nuk do ishte keq të binim dakord mbi një patologji të rëndë të shoqërisë sonë, nga më të rëndat, për t’mos thënë më e rënda: këtejpari ndodh shpesh që interesin e tribusë, klanit, fisit, ta nënvizojmë vend e pa vend dhe ta vëmë përpara çdo interesi tjetër, edhe përpara interesit publik, kombëtar a shtetëror. Shumë probleme tonat e kanë burimin bash tek kjo patologji. Mirëpo, me ‘nënvetëdijë fisnore’ (është lokucion i përdorur nga Spahiu) nuk mund të ndërtohet asgjë e hairit në planin politik, demokratik, shtetëror, publik, apo kombëtar. Dhe është pikërisht kjo gjë që duhet të na shqetësojë. E më vjen mirë që Nexhmedin Spahiu e kish këtë shqetësim.

Saktësimi i dytë ka të bëjë me elementin e nënkuptuar fetar në marrëdhënien prore idilike mes Berishës e kosovarëve. E vërteta është se nuk e kam pasur fare në mendje këtë “insinuatë”. Nuk është se jam i idesë që ky element nuk ekziston asnjë çik në këtë marrëdhënie, por unë nuk e kam pasur në mendje, teksa kam shkruar artikullin me titull: “Në Kosovë, Berisha është një Mesia; kundërshtarët e tij nuk ka se si të çmohen”, dhe nuk i jap peshën që i japin të tjerët. Identitetet tona fisnore janë më së pari kulturore e antropologjike, e pastaj fetare. Madje, unë kam frikë se, me ca përjashtime, janë shumë pak fetare. Apo gabohem? Këtej nga Republika jonë është e sigurt që është kështu. Sali Berishën e duan me shumicë në Tropojë e në Kukës, jo për shkak të fesë, por për shkak të njëjtësimit fisnor. Po kështu ndodh me Ilir Metën në Skrapar e në Berat, ku feja është krejt jashtë një diskutimi të tillë.

Dhe ilustrimet që bën Spahiu demonstrojnë pikërisht këtë gjë. Vetëm se me Majkon kam frikë se teprohet, kur merret si ilustrim i dashurisë jo tribale të kosovarëve. Kosovarët nuk është se e urrejnë ‘krushkun’ Majko, por edhe ndonjë dashuri të madhe për të nuk kam parë në Kosovë. Patriotizmi i tij patetik, sidomos kur ish kryeministër, ka synuar zemrat e kosovarëve, por nuk ka mundur t’i rrëmbejë. Ato zemra i ka rrëmbyer Berisha qysh në krye të herës. Në çdo kohë. Edhe kur Berisha ish në opozitë, dhe Majko hidhte idenë e rrugës Durrës-Kukës, dashuria e kosovarëve ka anuar më shumë nga Berisha.

Ndërsa në ditët e sotme, as që vihet në diskutim. Berisha në Kosovë është një autoritet që konkurron dhe ndonjë personazh qendror të librave të shenjtë. Në nja dy raste, përpara se të kem hyrë në studio televizive të Prishtinës për të marrë pjesë në programet e atjeshme, është bërë i gjallë dikush që e ka pasur merak t’më porosiste: nëse don të bësh figurë të mirë tek shikuesit kosovarë, mos thuaj fjalë të keqe për Sali Berishën! Dhe feja luan një rol të papërfillshëm në këtë mes. Rolin e madh e luan, sipas meje, përkatësia e njëjtë tribale. Me fjalë të tjera, nëse perifrazoj Migjen Kelmendin në një mënyrë që ai të mos keqkuptohet për herë të dytë, më duhet të them se kosovarët mendojnë për Berishën se “ky është i yni”.

Berisha ka dhënë prova se nuk bezdiset nga ky identitet i fortë tribal, rreth të cilit mblidhen “të vetët”. Përkundrazi, ka bërë çmos ta përdorë këtë gjë. Dhe nuk është i vetmi. Ilir Meta ka bërë të njëjtën gjë në kohët kur i priste shpata nga të gjitha anët. Dua të them se këta lloj politikanësh e kanë përcjellë tribalizmin nga shoqëria në politikën nacionale. Si? Duke u mbështetur shumë tek tribuja e tyre, e duke i dhënë një rol të tepruar prej protagonisti asaj tribuje në jetën nacionale. Të kuptohemi pra, ata nuk synojnë tribalizimin e politikës; jo, ata thjesht synojnë dominimin e jetës nacionale, e në këtë funksion shtien në punë natyrën tribale të shoqërisë sonë (Sali Berisha e ka mbushur administratën publike me tropojanë në ditët e sotme. Janë të panumërt ata tropojanë që punojnë në nivelet e dyta të drejtimit të administratës apo të strukturave të sigurisë, sidomos në Gardë e Polici. Të njëjtën gjë ka bërë Ilir Meta, kur ishte kryeministër. Ka barsoleta të shumta për tropojanët e skraparlinjtë).

Përfundimi? 1. Shoqëria shqiptare është me karakteristika të qarta tribale; në këtë pikë unë e Spahiu jemi dakord; 2. Feja luan një rol me rëndësi sekondare në jetën publike e garën politike; edhe në këtë pikë mendoj njësoj me Spahiun, por nuk di pse ky i fundit ka menduar se unë mendoj, që në themel të dashurisë kosovare për Sali Berishën, është feja myslimane; në shkrimin tim unë flas për tribu, e jo për fe; dhe e lidhur me këtë të fundit 3. Tributë unë i shoh më së shumti si entitete kulturore e antropologjike, e shumë pak fetare.

"Shqip"

KOMENTE
  • Kushtrim Selmanaj07:24 - 13 Dhjetor 2011
    Shume drejt Z. NANO. Dhe kjo eshte njera nga te keqijat e shoqerise sone(fatkeqesisht kemi shume te tjera, qe e <kompletojne> kuadrin). Dhe kur them shume drejt dua te them qe i ke rene pikes, jo qe jam i kenaqur qe eshte keshtu.