English

Zhargoni antikomunist

Nga Ardian Vehbiu

Ka qëlluar, në Shqipëri, që çdo lëvizje politike e respektueshme të jetë identifikuar, mes të tjerash, edhe me një formë specifike të shqipes; duke e projektuar ideologjinë në gjuhë.

Rilindja zgjodhi të fliste një shqipe të qëruar nga turqizmat dhe greqizmat; regjimi i Zogut e kërkoi legalitetin në elbasanishten; komunistët standardizuan toskërishten, duke i mveshur gegërishtes atribute të ligjërimit të Tjetrit, ose të armikut Përtej.

Në filmat “me spiunazh” të Kinostudios Shqipëria e Re, ky armik shquhej menjëherë nga zhargoni gjeografik, i mishëruar në idiolektin e Ndrek Lucës, të filtruar përmes ajrit malor të Alpeve, ose të shpellave ku fshiheshin diversantët.

Nëse polisi totalitarkishnevojë vërtet për të krijuar barbarët e vet, kjo mund të diskutohet; por këta “barbarë” nuk ishin gjë të detyruar, as të dënuar të zhdukeshin me shembjen e ngrehinës totalitare, krizës së homogjenitetit kulturor dhe të aparatit shtypës të regjimit.

E krijuar si me shaka, nga totalizuesit dhe inxhinierët e “tipikes” në letërsi dhe në art, gegërishtja si dialekt i antikomunizmit erdhi dhe u bë realitet.

Në foton e mëposhtme, botuar këto ditë në shtyp, më tërhoqi menjëherë vëmendjen dicitura “TE PUSHKATUEM” e tabelës me foto të viktimave të terrorit komunist. Nuk i identifikoj dot ato viktima, por besoj se nuk do të gaboja, po të mendoja se ka pasur në ta toskë dhe gegë; dhe se plumbi i regjimit nuk i ka përzgjedhur për nga prejardhja gjeografike, as për nga fonetika e shqiptimit.

Totalitarizmi rrafshoi diferencat; por në këtë kontekst, edhe gegërishtja letrare përfundoi “e pushkatueme”. Që këtej, edhe revanshi i rreshtimit të saj në ballë të demonstratës antikomuniste.

Mirëpo antikomunizmi, në Shqipërinë e sotme, s’është më shumë se skenar për teatër kukullash; sepse në Shqipëri nuk ka më komunistë si të tillë, me përjashtim të pak grupeve radikale, të organizuara si klube të librit.

Në Shqipëri ka ish-komunistë, ish-antikomunistë, ish të persekutuar, dhe ish-persekutues; të cilët tani po e vazhdojnë luftën e djeshme të klasave në një përmasë virtuale.

Edhe gegërishtja letrare po i konsumon betejat e veta (donkishoteske) me standardin në këtë përmasë; duke u artikuluar në ankime dhe sfida, ose në prova laboratorike të ekzistencës dhe efikasitetit.

Ndonjë derdhje aksidentale e këtij virtualiteti në realitet, si ky i tabelës në foton më sipër, veç na kujtojnë se çfarë pjese e jetës sonë, si shoqëri, ka mbetur peng i së kaluarës.

Mirëpo identifikimi i gegërishtes letrare me anti-komunizmin është i rrejshëm, dhe për më shumë se një arsye.

Mes viktimave të shumta të regjimit komunist ka pasur edhe të pushkatuem, edhe të pushkatuar; deri më sot, nuk di të ketë bërë kush krahasimet, dhe të ketë parë nëse vërtet dhuna klasore është ushtruar mëfortndaj gegëve sesa ndaj toskëve.

Ajo përplasje e armatosur, që për disa historianë është luftë e forcave antifashiste kundër bashkëpunëtorëve të pushtuesit, ndërsa për disa të tjerë luftë civile mes komunistëve dhe nacionalistëve (Ballit Kombëtar) u shtjellua pothuajse e tëra në Jug; në një kohë që Veriu e njohu dhunën komuniste disi më vonë, për arsye strategjike.

Gjithsesi, këto çështje mbeten për t’u ndriçuar. Mirëpo, ndërkohë, teza dinake se anti-komunizmi është geg, ndërsa komunizmi tosk – për ta thënë në mënyrën më të trashë të mundshme – ka hedhur rrënjë në psikologjinë kolektive; madje po përdoret edhe me synime politike sa praktike aq edhe të paturpshme.

Provë, sado e tërthortë, e këtij mistifikimi, madje abuzimi me historinë, është edhe kjo martesë, kaq artificiale, e diskursit anti-komunist me gegërishten letrare, dhe veçanërisht shkodranishten e katolikëve.

Pa çka se krushqia, për një martesë të tillë kaq përçarëse, zuri fill, madje u mpiks që në vitet e komunizmit; ose gjatë torturave që ia bënë, kinematografikisht, të ndjerit Ndrek Luca.

"Shekulli"

KOMENTE