English

Arrestohen dhjetë anëtarët e grupit kriminal serbo-shqiptar

Prishtinë, 13 dhjetor 2011, NOA – Nën dyshimin e pjesëmarrjes në krim të organizuar kanë rënë në prangat e policisë së Kosovës përmes operacionit të koduar “Ibri”, dhjetë persona, pjesëtarë të një grupi kriminal serbo-shqiptar, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar bën me dije se pas hetimeve relativisht të gjata, në bashkëpunim me njësitë e tjera përkatëse policore u arritën të kapeshin një grup personash të dyshuar për vjedhje makinash në qytetet Prishtinë, Graçanicë dhe Lipjan.

Dhjetë të arrestuarit kanë vepruar për një kohë të gjatë si grup i organizuar (serb dhe shqiptar) duke vjedhur vetura të ndryshme në rajone të ndryshme të Kosovës, të cilat më pas i dërgonin në Mitrovicën Veriore dhe përmes ndërlidhësve bënin kompromise për kthimin e veturave të vjedhura tek pronarët, duke përfituar shuma të mëdha të parave. Personat e dyshimtë merreshin edhe me falsifikimin e veturave dhe dokumentacioneve të tyre dhe pastaj të njëjtat i shitnin për përfitime materiale.

Ky grup i organizuar kriminal dyshohet se merrej edhe me trafikimin e substancave narkotike, armëve dhe municioneve të ndryshme luftarake.

Gjatë realizimit të këtij plani policor janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse në disa lokacione (Prishtinë-Graçanicë-Lipjan), ku dhjetë të arrestuarve u janë konfiskuar armë e objekte të ndryshme të përdorura gjatë aktivitetit kriminal.

Personat e dyshuar të arrestuar janë:

Radovan. Zh (1983) Serb/Kosovar

Milan. S ( 1985) Serb/Kosovar

Ivica. E (1984) Serb/Serbisë

Ivan . S ( 1987) Serb/Kosovar

Ivana. S (1988) Serbe/Kosovare

Blerim. N (1976) Shqiptar/Kosovar

Bekim. A (1972) Shqiptar/Kosovar

Urosh. J (1983) Serb/Kosovar

Nenad. K (1982) Serb/Kosovar

Maja. D (1987) Serbe/Kosovare

Policia e Kosovës ka sekuestruar në këtë aksion 7 vetura të llojeve të ndryshme,

3 revole kalibrash të ndryshëm, 14 fishekë, 3 kg narkotikë të llojit marijuanë, çelësa kallauz për hapjen e veturave, 1 kompjuter, 3 Lap Top dhe dokumentacione tjera, të cilat mund të përdoren si prova në Gjykatë.

mit/NOA

KOMENTE