Bruksel, 13 dhjetor 2011, NOA – Një atentat terrorist me granatë tronditi qytetin Liege në Belgjikë, pas mesditës, duke lënë të vdekur në vend dy persona dhe plagosur afro 25 të tjerë.
Mediat belge bëjnë me dije se mes të vdekurve është edhe njëri prej atentatorëve, i cili është vetëvrarë në mesin e shpërthimit.
Atentati me eksploziv ka ndodhur në ndalesën e autobusit në sheshin “Shën Lambert”, i cili ndodhet në qendër të qytetit Liege, një zonë tejet e populluar në këtë orë të ditës.
Mediat belge thonë se një burrë 40-vjeçar hodhi granatat në mjediset pranë stacionit të autobusit, duke shkaktuar dhjetëra të plagosur, por edhe dy të vdekur, mes të cilëve edhe ai vetë.
Dëshmitarë në vendngjarje tregojnë momentet e panikut duke dëshmuar se dëgjuan katër shpërthime të menjëhershme eksplozivi, ndërkohë që atentatorët ishin tre vetë.
Por, sipas dëshmitarëve, atentatorët në qendër të Liege nuk janë mjaftuar vetëm me shpërthimin e granatës, por kanë shtënë edhe me armë në drejtim të stacionit të autobusit, në “Shën Lambert” ku në këto ditë pragkrishtlindjesh dynden mijëra turistë dhe qytetarë vendas.
Sipas sitit lokal 'La Meuse' mes dy personave të vdekur nga shpërthimi i fuqishëm është njëri prej atentatorëve, i cili hodhi granatat në ndalesën e autobusit.
Policia e Liege-it ka blinduar zonën, ndërkohë që mësohet se njëri prej atentatorëve është kapur, ndërsa tjetri tani për tani i ka shpëtuar rrethimit policor.
Ende nuk dihen motivet e atentatit me granata, dhe as identiteti i atentatorëve...Vijon...
mit/NOA