Tiranë, 12-13 Dhjetor 2011, NOA/ Ariola Ymeraj/Rid Bulku - Lajm, foto dhe video Update – Kryeministri Sali Berisha është momentalisht në gjendje të mirë shëndetësore, pasi mbrëmjen e së hënës pati një marrje mendsh teksa fliste në ceremoninë e përvjetorit të 21-të të themelimit të PD, ngjarje që agjencia e lajmeve NOA.al e raportoi e para në kohë reale me raportimin e gazetares Ariola Ymeraj direkt nga Pallati i Kongreseve.
Mësohet se kryeministri e kaloi turbullirën që pësoi teksa ishte duke mbajtur fjalimin e gjatë, i treti vetëm për ditën e sotme, pas atij në Grupin Parlamentar të PD dhe në mbledhjen e parë të Komisionit Shtetëror për organizimin e veprimtarive festive për “Vitin e 100 - vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”.
xhenda e ngjeshur që kryeministri kishte sot me një mori takimesh zyrtare dhe fjalimesh, mendohet të ketë shkaktuar përkeqësimin momental gjatë ceremonisë por tani ai është në gjendje të përmirësuar.
Zyrtarisht lidhur me ngjarjen ka folur edhe Kryeministria: "Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha pati një gjendje lodhjeje në përfundim të fjalës së tij, me rastin e 21 vjetorit të Partisë Demokratike. Pas një konsulte mjekësore u konstatua një gjendje lipotimie (debolese), e lidhur me një virozë, për të cilën Kryeministri është mjekuar gjatë ditëve të fundit. Konsulta mjekësore tregoi parametra normale dhe gjendje të stabilizuar.
Kryeministri Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe para largimit nga Pallati i Kongreseve konsumoi një kafe me miq dhe të ftuar dhe më pas u kthye në apartamentin e tij.
Kryeministri Berisha u shpreh mirënjohjen të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike, miqve dhe të ftuarve në përvjetorin e krijimit të PD-së, për interesimin e treguar dhe uron dhe njëherë gëzuar festën".
Pak minuta pasi u largua z.Berisha, ka qenë kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli, e cila ka dalë para të pranishmëve dhe ka deklaruar se gjendja e kryeministrit është e mirë dhe se ai pati një gjendje marrje mendsh për shkak të një gjendje virale gripale.
Aktualisht kryeministri ndodhet në shtëpinë e tij, vetëm disa qindra metra larg nga Pallati i Kongreseve.
*** Berisha është ndjerë keq dhe ka ndërprerë fjalimin e tij të gjatë që po mbante sonte në orën 19.00 në hollin qendror të Pallatit të Kongreseve, raportoi gazetari i agjencisë së lajmeve NOA.al.
Berisha teksa ishte duke folur për 21 vjet nga themelimi i PD, befas nuk është ndjerë mirë. AI ka pësuar një turbullim dhe marrje mendsh e gati ka rënë, por kanë vrapuar truprojat dhe disa persona të tjerë për ta ndihmuar.
I ndihmuar nga truprojat të cilëve u buzëqeshi për gatishmërinë dhe ndihmën që i dhanë, Berisha është larguar me ngadalë nga foltorja duke u larguar nga salla. Mësohet se kryeministri Sali Berisha momentalisht është përmirësuar.
Në këtë situatë, ceremonia është ndërprerë dhe për disa minuta salla ka mbetur pa folur askush, por pas daljes se Topallit, ka vijuar edhe pak minuta e pastaj u mbyll.
Lidhur me incidenti ka reaguar edhe kryetari i PS, Edi Rama. Përmes një teksti në faqen e tij tek rrjeti social Twitter, z.Rama tha se shpreh keqardhjen, duke shtuar se shpreson që të mos jetë asgjë serioze. “Sapo dëgjova për sëkëlldinë e Saliut në festë. Ndjej keqardhje dhe uroj sinqerisht që të mos jete asgjë serioze për shëndetin. Te shkuara!”, shkruan Rama në rrjetin social. Reagimi i kreu të PS-së ka ardhur pas ceremonisë së 21-vjetorit të PD-së.
Lidhur me gjendjen e z.Berisha ka reaguar edhe deputeti socialist, Andis Harasani: "Te shkuara z. Berisha. Uroj te jete sa me e lehtë", - u shpreh ai.
Sakaq, deputeti Erjon Braçe është treguar cinik në reagimin e tij. Duke shfrytëzuar faqen e Facebook, z.Braçe ka publikuar një foto ku Bereisha shfaqet i zverdhur dhe më tej ka hedhur për publik këtë tekst:
“Sali Berisha ka ndërprerë fjalimin e tij në "festën e PD", ka pësuar një deformim thelbësor dhe është mbajtur nga rojet e tij të sigurisë të cilët e kanë larguar më pas nga salla e Pallatit të Kongreseve! Sali Berisha ishte duke festuar sundimin e 21-të në PD! Festa është ndërprerë!”.
a.y/e.t/r.b/NOA