Nga Natasha Lako
Ata që janë të interesuar për ndodhi të paprekura nga tragjeditë, si ceremonia e çmimit “Nobel”, e kanë të qartë se këtë çmim e meritojnë si ata njerëz që kontribuojnë në luftën kundër tragjedive, ose të këqijave të saj, shpeshherë nga më personalet, shpeshherë nga më kolektivet.
Sa herë ndahet ky çmim, njerëzit duartrokasin për një rrugë të nisur kundër rreziqeve, si në fushat e ndryshme shkencore, kimi, fizikë a shëndetësi, ashtu edhe ndër fushat politike apo letrare. Ky është një amanet i njeriut që ka shpikur dinamitin.
I kthehemi në këtë rast çmimit për letërsinë, i cili sipas testamentit të “Nobelit”, mund t’u takojë jo vetëm njerëzve të "les belles letres" ose letërsisë së mirëfilltë krijuese, por gjithçkaje që shkruhet me mjeshtëri dhe stil "sipas një drejtimi të idealizuar". Dhe sot vërtet çmohen tri gra që kanë marrë “Nobelin” për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në botën e shtypjes më të madhe. Poezia sigurisht është më pranë tyre se askush tjetër.
Dhe në fund të fundit, të vitit 2011, çfarë shmangie tragjedie domosdo humane mund të ketë arritur një poet mes të gjithë poetëve dhe vetëm poet, si suedezi Tomas Transtromer.
Përgjigjen më tepër se askush ta jep shoqëria shqiptare, e cila në prezantimin e tij kalimtar i vuri theksin më tepër se sa vlerave të tij poetike, punës së tij si psikolog, në një qendër rehabilitimi të njerëzve me rrezikshmëri shoqërore, ku nuk ka punuar gjatë. Po të ishte për shqiptarët, me siguri që do t'i jepnin çmimin “Nobel” vërtet për këtë punë fisnike dhe pothuaj të panjohur për mentalitetin e tyre.
Çfarë i pengon të komunikojnë me një poet si Transtromer, ende është e paqartë dhe mund të kuptohet nga komentet e shkathëta të mbushura plot kolorit dhe inteligjencë të shqiptarëve të tërhequra pas politikës në lidhjet e çliruara të komunikimit kompjuterik.
Ata, - ose ne, - mund të vlerësojnë shumë bukur shpikësit e viagrës që lufton ca halle të thella dhe marrëdhënie personale, mund të hidhen në fushat e pakuptueshme të fizikës ose vaksinimeve, me nuhatjen e shpëtimit, por kurrsesi nuk mund t’i afrohen aq lehtë poezisë. Sikur ta dinin këtë shije shqiptare dhe botërore të zvetënuar, në lidhje me dallimin esencial të shpirtit mendimtar dhe emocional njerëzor nga gjitarët e tjerë, Akademia Suedeze ka promovuar rresht një sërë poetësh, që nga Brodski deri te Dereck Walkot, për të mos i përmendur të gjithë. Është i çuditshëm dhe njëkohësisht i shpjegueshëm kufiri i imagjinatës shqiptare që e ka më lehtë të komentojë një nobelist "më të afërt" si italiani Dario Fo. Të mos flasim pastaj për festën e madhe të të gjithë shqiptarëve, kur çmimin e mori Pamuku i gadishullit tonë të famshëm. Për herë të parë na u duk sikur na trokiti çmimi “Nobel” te porta jonë. Kjo mund të shpjegohet se kufijtë izolues nuk janë prishur ende, ose janë jashtëzakonisht tradicionalë. Pse dihet që modelet mediatike të shqiptarëve dalin ende a la Bruno Vespa. Ka shumë shpjegime për reagimet shqiptare ndaj letërsisë së sotme botërore, aq më shumë për poezinë.
Të lodhur me pritjen e gjatë për çmimin “Nobel” për Kadarenë, ose të specializuar për gjetje të pafundme prapaskenash dhe paragjykimesh herë më konservatore, herë më liberale, që kanë lënë jashtë shkrimtarë si Tolstoi, shqiptarët më në fund duken të lodhur nga këto ceremoni që kurorëzojnë arritjet kundër të këqijave të kësaj bote. Ose ndoshta ata (ne) e kuptojmë me gjysmë vetëdije se ky çmim është gatuar kundër së keqes sonë, zakonit për të mos e çmuar pasurinë shpirtërore. Fakti që një poet i talentuar, si Gentian Çoçoli, botues i revistës “Aleph” përpiqet të afrojë lexuesin shqiptar me avangardat e sotme poetike dhe merr përsipër botimin në vitin 2002 dhe ribotimin në vitin 2011 të përmbledhjes së Tomas Transtromer, e para "Perandoria e barit" dhe e dyta "Një qiell i lënë përgjysmë”, tregon gati një betejë të re titanësh të papërfitim në Shqipërinë e prozaikes së pazakontë.
Por faktet jepen më shkoqur. Askush nuk dha një panoramë të paktën informative për ekzistencën e këtyre librave në Panairin e sivjetmë të Librit, të paktën nga organizatorët e tij. U bënë madje edhe shkrime dhe antishkrime për shitjen e qofteve serbe, por asgjë për Tomas Transtromer, këtë poet që e transmeton realitetin nga këndvështrimi i avancuar i ditëve tona.
Kadareja shpesh ka theksuar se shkrimtarët perëndimorë nuk e kanë vënë shumë ujin në zjarr për shkrimtarin e vendeve të Europës Lindore në fatkeqësinë e tyre. Këtu ndoshta duhet të përjashtojë Tomasin e suedezëve dhe amerikanëve, mongolëve, maqedonasve dhe së fundi edhe të shqiptarëve. Poezia e Tomas Transtromer e ka ndjerë shqetësimin e hoteleve me përgjues, të letrave të kontrolluara. Por jo vetëm kaq. Te poezia e tij, Mbretëria e pasigurisë, që në kontekstin real shfaqet gjithnjë në horizont, ai na thotë se të gjithë kërcënohemi bashkërisht. Dhe kjo bashkërisht shpjegohet edhe me përpëlitjet financiare, edhe me diskutimet e pafund për t’u dhënë ndihmë apo jo shteteve të fundit europiane që nuk janë pjesë e Europës politiko-shoqërore, në kohën kur po bëhet edhe unifikimi i taksave. Ky realitet qëndron mbi a nën poezinë e Tomas Transtromer si një copëz reje. Një helmetë e padukshme ka marrë pushtetin, një breshkë lëviz e lëvizshme poshtë ujit, thotë poeti. Çfarë vezullon realisht është tjetër punë. Shqiptarët, në përgjithësi, nuk para çajnë kokën për procese të gjera, ku janë përfshirë edhe vetë. Ata në përgjithësi mbyten në një pikë uji, me diskutime që botën e shfaqin në korridore të ngushta të interesave të ngushta, ku u duhet të kalojnë patjetër.
Ta kuptosh realitetin e sotëm, (të cilin e ndjellim vetëm të vrazhdë), nëpërmjet ndjesive të holla nuk është kaq lehtë. Dhe të sfidosh ekzistencën e kryeministrave, qeverive, konferencave pa fund, jo se nuk janë të nevojshme, por se nuk janë gjithçka, si paraqitet në këtë vend të mjeruar nga vizionet dhe të mbytur nga interesat, është një shenjë e vazhdueshme e njeriut me një botë të padorëzuar. Poeti e shpërndan misterin e jetës anekënd. Tomasi e shpërndan që nga Baltiku në Izmir, në Malin e Zi, në një ishull të padukshëm ku jetojnë të sëmurët me lebër, por kur është fjala për shtete dhe vende, ndoshta ka raste që i jep më tepër rëndësi një kutie postare. Të duash dhe të shprehësh këtë pasuri jete të pakontrollueshme prej askujt është një nga betejat më të mëdha të njeriut të sotëm. Duket sikur një autor i tillë, një maratonomak i ri, ka lindur për të çrobëruar njeriun e pafuqishëm që ka zgjedhur të qëndrojë pas një kuadrati të një ekrani televizori, për të lexuar thjesht lajmet e dhëna me vrap të monopolizuar. Tomas Transtromer e bën çdo njeri lajmëtar. Ai pason stafetën e lirisë që vjen prej Thoroi të tij a List të tij, a Wagnerit të tij, a Baltikut të tij jo thjesht frymor, duke rilindur zotësinë për të të krijuar një forcë të re ekuilibri.
Ky është ekuilibri i një zyre të çfarëdoshme ku një zyrtar shënon me kryq, me ekuilibrin e historisë, ku çdo mëngjes Robespieri gati një orë vazhdon t’ia kushtojë tualetit të tij, ekuilibri i vendosur në një botë pa gdhenj, por ku edhe vetë poeti sheh me sytë e një grabitqari.
Të ndjekësh poezinë, do të thotë të jesh krijuar më në fund si një njeri i pavarur. Por në pararojë do të gjendet gjithnjë ndonjë edhe më i pavarur, si Tomas Transtromer.
Të shkruash një realitet të ri artistik, atë që reflektohet brenda psikikës dhe shpirtit, është një luftë tjetër ndaj analfabetizmit të sotëm modern, këtij rreziku të ri të çdo shoqërie, që reflektohet më së miri në shoqërinë shqiptare.
Këtë e vërteton edhe heshtja e derisotme, ose përmendja formale ndaj Tomas Transtromer.
Dhe kjo tregon se ky çmim ishte i domosdoshëm, për të shmangur tragjeditë njerëzore të çnjerëzimit a dehumanizimit, si një prej proceseve më shkatërruese.
'Shqip"