Tiranë, 13 Dhjetor 2011 NOA/ Rid Bulku- U inaugurua me mbështetjen e Shtetit Shqiptar dhe Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Kordinim(TIKA), Qendra Kombëtare Antidoping dhe e Mjekësisë Sportive, për herë të parë në këto 80 vjet veprimtari sportive në Shqipëri.
Të pranishëm në ceremoni sic e shihni dhe në foto, ishin Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Z. Aldo Bumçi, Ministri i Shëndetësisë, Z. Petrit Vasili, Ambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë.
Ministri Bumçi tha kjo është një ditë e veçantë, shumë e rëndësishme. Me këtë investim ne kryejmë hapat drejt plotësimit të plotë të fizionomisë të agjencisë së shërbimit të sportit raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
“Në sajë edhe ndihmës së TIKA-s, ne sot kompletojmë qendrën e mjekësisë sportive me gjithë komponentët e saj. Siç e patë edhe nga pamjet, ndryshimi me atë çfarë ishte më parë mund të them se është i pakrahasueshëm”.
Në fakt, pohoi z.Bumçi, - është hera e parë që në Shqipëri ka një qendër të mirëfilltë të mjekësisë sportive. Me këtë investim Shqipëria ka plotësuar edhe kërkesat e Wada-s, teksa është hapur edhe njësia antidoping që është pranë kësaj qendre.
Ministri siguroi se investimet në këtë agjenci do të vazhdojnë me qëllimin final që kjo të kthehet në qendër olimpike shqiptare.
Klodiana Shala, Drejtore e Agjencisë së Shërbimit të Sportit ndër të tjera tha se në këtë qendër do të punojnë specialistët më të mirë të mjekësisë sportive në vendin tonë.
Qendra e Mjekësisë Sportive dhe Kontrollit Antidoping do t’i shërbejë sportit elitar në veçanti dhe gjithë ekipeve kombëtare të çdo lloj sporti në përgjithësi.
Kjo Qendër u bë e mundur prej investimit 36 milionë lekë të Qeverisë Shqiptare për rikonstruksionin e godinës si dhe mbështetjes që dha TIKA, prej 40 mijë eurosh për aparatura mjekësore bashkëkohore.
r.b/NOA