Kiev, 13 dhjetor 2011, NOA - Në ditën e rishqyrtimit në Gjykatën e Apelit të akuzave ndaj ish-kryeministres ukrainase Julia Timoshenko, Komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fyle e vizitoi atë në qelinë e burgut, në Kiev, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Vetë liderja e opozitës ukrainase nuk u paraqit në sallën e gjyqit për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.
Ndërkaq para fillimit të seancës gjyqësore mbështetës të ish-kryeministres Timoshenko u përplasën me policinë, duke kërkuar lirimin e saj nga burgu.
Komisioneri Fyle qëndroi për më shumë se 30 minuta në qelinë e Timoshenkos dhe e siguroi atë se Bashkimi Evropian ndjek me vëmendje procesin gjyqësor ndaj saj. Timoshenko është dënuar me 7 vjet burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Ish-kryeministrja akuzohet se ka nënshkruar në 2009-ën një marrëveshje të jashtëligjshme me Rusinë për furnizimin e Ukrainës me gaz.
Javën e ardhshme Bashkimi Evropian dhe Ukraina do të kenë një takim të nivelit të lartë, ku në fokus të bisedimeve do të jetë nënshkrimi i marrëveshjes për tregtinë e lirë.
Megjithatë mësohet se temë e diskutimeve do të jetë edhe çështja Timoshenko, për të cilën Bashkimi Evropian ka shprehur rezerva të shumta.
mit/NOA