Tetovë, (Maqedoni) 13 dhjetor 2011, NOA - Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe ai i RDK-së, Rufi Osmani sot pritet të firmosin marrëveshjen e bashkëpunimit si dy partitë kryesore opozitare shqiptare. Marrëveshja do të arrihet në selinë e PDSH-së në Tetovë, pasi kreu i kësaj partie ka bërë ofertën dhe është një nga nismëtarët për arritjen e unifikimit dhe bashkëveprimit politik të opozitës shqiptare.
Dy liderët e këtyre partive një muaj më parë përmes mesazheve mediatike konfirmuan se janë të gatshëm për ti shtrirë dorën njëri tjetrit. Pajtimi vjen pas konflikteve dhe inateve midis tyre, gjatë një periudhe të gjatë në skenën politike shqiptare.
Si Thaçi, ashtu edhe Osmani filluan karrierën politike si nënkryetarë të ish-PDSH-së, por që u ndanë në ngjarjet e 97-tës me dhunën policore në komunën e Gostivarit, ku u burgos Rufi Osmani si kryetar komune, për shkak të përdorimit të flamurit kombëtar në institucionin e komunës.
Antarësia e këtyre dy partive presin një rikthim dhe tërheqje të elektoratit dhe përgatitje për zgjedhjet e ardhshme, për të sfiduar partinë BDI të Ali Ahmetit, e cila pas konfliktit të vitit 2001 në asnjë rast nuk ka humbur zgjedhjet.
PDSH dhe RDK përveç të tjerash do të përbëjnë një forcë relevante në Parlamentin e Maqedonisë duke numëruar bashkërisht 10 deputetë, të cilët do të jenë vendimtar me votat e tyre, për shkak të epërsisë së ngushtë të numrit të deputetëve të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI.
NOA/INA