...Të adresosh kritika nga mëngjesi deri në darkë dhe të quash gjithë gjyqtarët e një gjykate, bandë kriminale e organizuar, nuk i bën mirë sistemit, sepse e para duhet të kërkosh falje që vite e vite, ke penguar reformimin e sistemit duke urdhëruar mosmiratimin e ligjeve me 3/5. E dyta, dallimi mes të mirës dhe të keqes, mes të ndershmëve dhe të korruptuarve, është shumë i rëndësishëm dhe deçiziv në çdo betejë, në çdo luftë, në çdo sistem dhe në çdo reformë.
Nga Eduard Halimi
Në radhë të parë ju falënderoj për ftesën në këtë aktivitet dhe në pozicionin e Ministrit të Drejtësisë kam kënaqësinë jo vetëm të diskutoj mbi frytet e një prej reformave më të suksesshme të drejtësisë penale në Shqipëri që nga viti 2005, por edhe të shkëmbej me ju idetë për vizionin në vijim. Prezantimi i Shërbimit të Provës është padyshim një sukses sepse për këtë institut Ministria e Drejtësisë ka kënaqësinë të deklarojë kryerjen e procesit të plotë brenda një periudhe të shkurtër kohe.
Ngritja dhe prezantimi i Shërbimit të Provës ishte vendosja e hallkës së munguar në zinxhirin e institucioneve të sistemit të drejtësisë penale në Shqipëri.
Reforma e shërbimit të provës, padyshim ngelet një nga reformat me të suksesshëm të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo reformë pati në qendër të vëmendjes së saj dy anë shumë të rëndësishme: Procesin e ri integrimit të personave të cilët janë nën ekzekutimin e një vendimi penal, uljen e kostove publike për ekzekutimin e dënimeve, por nga ana tjetër dhe kujdesin për sigurinë publike. Brenda pak kohësh u plotësua kuadri ligjor dhe nënligjor i nevojshëm, u ngrit struktura e duhur, u rekrutua personeli, filloi caktimi i dënimeve alternative dhe mbikëqyrja e tyre.
Nga ana tjetër, reforma përfshin një përfitim të madh , sigurinë juridike per qytetaret dhe konsolidimin e sundimit të ligjit sepse tashmë marzhi i diskrecionit të sistemit të drejtësisë është ulur. Alternativat e reformuara japin siguri dhe parashikueshmëri juridike, duke dhënë efekt të padiskutueshëm edhe në uljen e nivelit të korrupsionit.
Kjo reformë ka adresuar prioritetin qeveritar për funksionimin efektiv të alternativave të dënimit me burgim dhe sidomos për reduktimin e fenomenit të mbipopullimit në burgje. Megjithatë, dënimet alternative nuk shërbejnë vetëm për të adresuar çështjen e mbipopullimit në burgje. Thelbi i tyre është ndryshimi i fokusit të dënimit nga ndëshkim dhe izolim, në drejtësinë restauruese dhe riintegruese për individin. E drejta penale bashkëkohore është duke u shkëputur gjithnjë e më shumë nga efekti ndëshkues apo shpagues i dënimit, duke u orientuar drejt drejtësisë restauruese. Tashmë, edhe nën ndikimin e parimit të humanizmit që përshkon legjislacionin penal, pranohet gjerësisht se dënimi penal ndjek qëllimin e edukimit, risocializimit dhe riintegrimit të autorit të veprës penale paralelisht me rehabilitimin/zhdëmtimin e të dëmtuarit prej saj.
Sot jemi dëshmitarë se historia e Shërbimit të Provës në Republikën e Shqipërisë është një histori suksesi, e cila pranohet nga të gjithë. Në këtë histori suksesi çdo aktor ka luajtur dhe luan rolin e vet të rëndësishëm, si subjektet vendase, ashtu edhe asistenca ndërkombëtare, në formën e ekspertizës më të mirë nga OSBE, Këshilli i Evropës, Projekti i Binjakëzimit i Ambasadës Britanike dhe dëshiroj të falenderoj posaçërisht Zotit Alan Macdonald për punën e përkushtuar që ka zhvilluar në përmirësimin dhe fuqizimin e Shërbimit të Provës. Statistikat optimiste janë tregues i këtij suksesi. Aktualisht Shërbimi i Provës ka nën vëmendjen dhe kujdesin e vet rreth 3500 persona, nga të cilët të dënuar janë rreth 2800 persona, që padyshim pa këtë Shërbim do të ishin të destinuar për sistemin penitenciar me kosto financiare të ndjeshme.
Kam kënaqësinë të deklaroj se pritshmëritë tona janë përmbushur sepse Kodi Penal në pjesën e Alternativave të Dënimit me Burgim është bërë plotësisht i aplikueshëm në terrenin praktik shqiptar duke lënë pas historinë e dispozitave penale pa jetë, renditjen e Shqipërisë në vendet e fundit, qoftë edhe të Evropës Lindore në zbatimin e dënimeve alternative si dhe evidentimin e Shqipërisë si një vend me qëndrim drastik për mbajtjen e të dënuarve në sistemin penitenciar.
Padyshim që suksesi i dënimeve alternative dhe Shërbimit të Provës është edhe rrjedhojë e angazhimit konkret të të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, duke përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët besuan tek dënimet alternative dhe i dhanë jetë dispozitave ligjore. Ky sukses është një dëshmi e prekshme se kur të gjithë aktorët arrijnë të punojnë së bashku, krijohen sinergji të reja dhe rezultatet nuk mund të jenë veçse pozitive. Në këtë mënyrë parimet e ligjshmërisë dhe të humanizmit në drejtësinë penale nuk mbeten më slogane në ligj, por bëhen të zbatueshme. Megjithatë, në këtë proces duhet vendosur një ekuilibër i drejtë kontrolli dhe balance midis kritereve ligjore dhe veçorive të çdo rasti konkret. Vetëm nëpërmjet gjetjes së këtij ekuilibri do të rritet besimi i publikut tek organet e drejtësisë dhe masat alternative do të japin efektet e posaçme ndaj individit konkret, si dhe efektet e përgjithshme ndaj shoqërisë në përgjithësi. Padyshim që pjesë e këtij procesi është konsolidimi i marrëdhënieve institucionale midis të gjithë operatorëve të sistemit të drejtësisë me ndjenjën e besimit tek njëri-tjetri, ku secili operator punon për rritjen e përgjegjshmërisë dhe varësisë ndaj ligjit.
Ky sukses është motivi kryesor i nxitjes dhe thellimit të reformave me bindjen se ato janë në rrugën e duhur dhe të pakthyeshme. Tashmë ne jemi ambiciozë për ta bërë Shqipërinë një vend lider në rajon lidhur me modernizimin e sistemit të ekzekutimit të vendimeve penale. Ky prioritet ambicioz do të përmbushet me një set masash, që nga konsolidimi i Shërbimit të Provës me vizionin për ta shtrirë atë në mënyrë të qëndrueshme në të gjithë territorin e vendit paralelisht me prezantimin e instituteve të reja penale si ai i Mbikëqyrjes Elektronike të të dënuarve. Konsolidimi i Shërbimit do të shoqërohet jo vetëm me hapjen e zyrave të reja rajonale, por edhe me forcimin e kapaciteteve të punonjësve të tij. Ndërsa Mbikëqyrja Elektronike e të dënuarve, është një projekt unik në të gjithë rajonin që do ta bëjë Shqipërinë lider në aplikimin e një sistemi të tillë, do të modernizojë tërësisht sistemin e burgjeve dhe padyshim do të sjellë impakt të jashtëzakonshëm tek qytetarët që kanë lidhje me ketë sistem dhe për sigurinë publike në vend. Projektligji, si një nga nismat më të rëndësishme të Ministrisë së Drejtësisë sapo u miratua në komisionin parlamentar të ligjeve dhe miratimi i tij në seancë plenare është një ngjarje e shpejtë, për të vijuar menjëherë me zbatimin e suksesshëm të tij.
Ky reformim i drejtësisë penale vjen natyrshëm në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale të Sistemit të Drejtësisë, e cila ka në vizionin e saj krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, efektiv, të përgjegjshëm, pa korrupsion dhe të besueshëm në publik. Në këtë kontekst, dëshiroj të vë në dukje që përmbushja e reformave është një proces gjithëpërfshirës, ku përgjegjësia nuk i takon vetëm Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë. Në fakt materializimi i kësaj reforme i përket të gjithë aktorëve politikë që marrin pjesë në miratimin e masave strukturore nëpërmjet procesit ligjvënës dhe ne presim angazhimin real dhe konstruktiv të opozitës në këtë reformë.
Rol absolutisht te rëndësishëm ne këtë reforme mund të luajnë dhe te gjitha organizmat ndërkombëtarë. Adresimi real i gjendjes dhe lëshimi i sinjaleve te forta ndaj te gjithë aktorëve të këtij procesi, ndaj aktoreve politikë, dhe këtu nënkuptoj parlamentin i cili duhet të miratojë paketat e ligjeve me 3/5, por edhe ndaj atyre aktoreve të cilëve ju intereson statusquoja, dhe që janë dhe aktorët që menaxhojnë dhënien e drejtësisë, padyshim qe janë një mjet i rëndësishëm ne këtë reformë themelore për vendin.
Adresimi dhe dërgimi i sinjaleve te forta aktoreve, rrit përgjegjesinë e tyre për daljen nga status quo. Adresimi dhe dërgimi i sinjaleve të forta, do të bëjë ndihen mirë ata qindra gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm të cilët e kanë të lidhur jetën tyre me misionin e rëndësishëm që ju është besuar, dhe do të bëjë të ndihen më të përgjegjshëm ata dhjetëra gjyqtarë e prokurorë të cilët llogaridhënien dhe përgjegjësinë ndaj ligjit e shkelin me këmbe sa here që munden. E thashë se adresimi duhet bërë edhe nga organizatat ndërkombëtare dhe ekspertiza e tyre sepse duhet bere me mençuri, pjekuri dhe maturi.
Të adresosh kritika nga mëngjesi deri në darkë dhe të quash gjithë gjyqtarët e një gjykate, bandë kriminale e organizuar, nuk i bën mirë sistemit, sepse e para duhet të kërkosh falje që vite e vite, ke penguar reformimin e sistemit duke urdhëruar mosmiratimin e ligjeve me 3/5. E dyta, dallimi mes të mirës dhe të keqes, mes të ndershmëve dhe të korruptuarve, është shumë i rëndësishëm dhe deçiziv në çdo betejë, në çdo luftë, në çdo sistem dhe në çdo reformë.
Dallimi mes menaxhuesve të sistemit dhe gjyqtarëve e prokurorëve të thjeshtë është deçiziv dhe është tërësisht e papranueshme që të kthesh një trupë gjyqësore, pa bërë dallim, në një bande kriminale. Ky është padyshim, sinjali më i keq që mund t’i çosh sistemit të drejtësisë sot.
Sinjali më i mirë që mund të lëshojë opozita për të përmirësuar sistemin e drejtësisë është kontributi i saj në reformën në drejtësi.
Te nderuar pjesëmarrës,
Unë jam i bindur se rruga e reformave nuk është rrugë e lehtë. Ajo është një rrugë e vështirë, e mundimshme, me shumë pengesa dhe skepticizëm, por është po aq e bukur kur behet me miq te mire si ambasadoret Sequi e Volfarth, dhe kur ashtu si sot ke mundësi të tregosh rezultatet, për stafin, koleget dhe përmbi të gjitha për qytetarët.