English

Shërbimi Informativ Ushtarak mbush 20 vjeç

Tiranë, 13 dhjetor 2011, NOA- Shërbimi Informativ Ushtarak i njohur ndryshe si SHIU festoi 20-vjetorin e krijimit të tij, si Institucioni i Inteligjencës dhe Sigurisë në fushën e Mbrojtjes.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast kreu i SHIU-t, kolonel Ylli Zyla, u shpreh i nderuar që drejton një nga strukturat më të larta të inteligjencës ushtarake, e cila është konsoliduar dhe e konsideruar në nivelin e shërbimeve homologe të vendeve anëtare të NATO-s.

“Kontributi i SHIU-t ka qenë i çmuar dhe konkret në luftën kundër terrorizmit, në identifikimin, vlerësimin dhe informimin për rreziqe e kërcënime ndaj Sigurisë Kombëtare, sigurisë së operacioneve dhe Sigurisë së Aleancës. SHIU sot është pjesë e strukturave të inteligjencës së NATO-s, kontribuon me informacione, vlerësime dhe personel të dislokuar në këto struktura. Për herë të parë, pas 20 vjet reformimi e trasformimi, SHIU është një strukturë e integruar e inteligjencës ushtarake në MM dhe FA, e cila përfshin të gjitha komponentët në fushën e inteligjencës, kundërinteligjencës dhe sigurisë dhe është autoriteti i vetëm që mbështet me informacion gjithë burimësh në fushën e shërbimit informativ ushtarak”, theksoi kreu i SHIU-t Zyla.

Zyla nënvizoi se SHIU aktualisht përfaqëson inteligjencën ushtarake Shqiptare në bordet e larta të NATO-s, është atnëtarë i qendrës së Inteligjencës së integruar të NATO-s, merr pjesë në hartimin e dokumentave dhe vlerësimeve strategjike, koontribuon me informacion konkret dhe periodik dhe me personel në mbështetje të komandave operacionale të NATO-s, KFOR-it dhe ISAF-it.

Në emër të Ministrit të Mbrojtjes zv.ministri Ekrem Spahiu, theksoi se, “SHIU, si strukturë e Inteligjencës Ushtarake në mënyrë të suksesshme ka përmbushur misionin e tij, në mbështetje të FA-së brenda vendit, por edhe në operacione, ku FA janë angazhuar në kuadër të paqes, sigurisë dhe mbrojtjes kudo në botë. SHIU sot luan një rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë së Forcave të Armatosura, mbrojtjes së trupave në operacione paqeruajtëse, koontribuon në sigurinë e vendit, si dhe është koontribues i denjë në strukturat e inteligjencës së NATO-s”.

Gjithashtu kreut të SHIU-t i është akorduar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral major Gjunkshi, medalja: “Për shërbime të veçanta”, me motivacionin: “Për aftësi dhe kompetencë profesionale dhe rezultate të larta në kryerjen e detyrave”. Krahas tij morën medalje një sërë përfaqësuesish të tjerë të SHIU-t.

SHIU u krijua më 11 dhjetor të vitit 1991. SHIU mbështet Forcat e Armatosura dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit strategjik të same informacion zbulimi, kundërzbulimi dhe sigurie në nivel strategjik dhe operacional në kohë paqe, krize dhe lufte. SHIU grumbullon, analizon dhe identifikon të dhëna mbi veprimtari që cënojnë sigurinë kombëtare, kërcënime të mundshme ose rreziqe ndaj FA-së që vijnë nga jashtë dhe/ose shfaqen brenda vendit.

Të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishin, zv/ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral major, Xhemal Gjunkshi, Drejtori i Përgjithshëm i SHIU-t, kolonel Ylli Zyla, ai i SHISH-it, Bahri Shaqiri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, Këshilltarja Ushtarake e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, kolonele Manushaqe Shehu, Atashe Ushtarakë të akredituar në Tiranë, si dhe mjaft drejtues e zyrtarë të lartë të institucioneve të tjera në vend.

a.y/NOA

KOMENTE