Tiranë, 13 dhjetor 2011, NOA- Qeveria e Suedisë ka siguruar sërish sot mbështetje ndaj prioriteteve të barazisë gjinore në Shqipëri duke kontribuar me rreth 3 milionë dollarë për Programin e Bashkëpunimit midis Qeverise Shqiptare dhe OKB-së për periudhën 2012-2016.
Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, në këtë linjë sot u nënshkrua një marrëveshje nga i Ngarkuari me Pune i Ambasadës së Suedisë në Shqiperi, Patrik Svensson dhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Zineb Toumi –Benjelloun.
Nga ana e saj, Drejtoreshe e Departamentit për Strategjinë dhe Koordinimin e Ndihmës së Huaj, Valbona Kuko, e pranishme në këtë ceremoni theksoi se, “Qeveria e Shqipërisë është mirënjohëse për mbështetjen që Qeveria e Suedisë po i jep Programit të Ri të Bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe OKB-se dhe veçanërisht për mbështetjen në zbatimin e angazhimeve të barazisë gjinore të përfshira në këtë program”.
Qeveria e Suedisë është një nga donatorët e Fondit të Koherencës së OKB-së.
a.y/NOA