Prishtinë, 13 dhjetor 2011, NOA - Shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se bisedimet teknike në Bruksel do të vazhdojnë atëherë kur “Serbia t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë lirinë e tregtisë dhe heqjen e barrikadave”.
Sipas saj, vendimin për raundin e ri të dialogut Prishtinë-Beograd do ta sjellë ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedime, Robert Kuper, i cili, siç ka thënë Tahiri, duhet të ndikojë te pala serbe për të nisur implementimin e marrëveshjeve të arritura, të cilat “Prishtina i zbaton plotësisht”.
Në intervistën dhënë gazetës beogradase “Danas”, Tahiri ka thënë se, gjatë negociatave për bashkëpunimin rajonal, javën e kaluar, ka qenë në video-lidhje të vazhdueshme me zotin Kuper.
“Ndonëse Beogradi ka pranuar se Prishtina ka të drejtën e votës, vendimit dhe nënshkrimit në forumet rajonale, nuk ka marrëveshje sepse Serbia kërkon që Kosova të përfaqësohet në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së”, ka theksuar Tahiri.
NOA/RFE