Tiranë, 13 dhjetor 2011, NOA- Nëpërmjet projekteve të përgjegjshmërisë sociale, Vodafone Albania merr pjesë në jetën në komunitet dhe i përgjigjet nevojave të zhvillimit shoqëror të fëmijëve dhe të rinjve të ndjeshëm dhe të cenuar të shoqërisë.
Ndaj këtë vit Vodafone ka vendosur të jetë me fëmijët e Fshatit SOS për Krishtlindje, duke i sjellë shtëpive të këtij Fshati shpirtin e festave të Krishtlindjes
Pikërisht në këtë atmosferë festash ku këto fëmijë kanë më shumë nevojë se kurrë për dashuri dhe buzëqeshje, punonjësit e Vodafone u gjendën pranë tyre duke zbukuruar ambientet e shtëpive dhe duke dhuruar libra që këta fëmijë të ndihen si në një familje sa më të ngrohtë për festa.
Fshati SOS krijon familje për fëmijët në nevojë, i ndihmon ata që të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të marrin pjesë në zhvillimin e komuniteteve të tyre. Kujdesi për fëmijët dhe për familjet e tyre të reja në Fshatin SOS bazohet mbi katër parime: Çdo fëmijë ka nevojë për një nënë, dhe mënyra më e mirë për t´u rritur është të jetojë me vëllezër dhe motra, në shtëpinë e tij, shtëpi që ndodhet brenda ambientit mbështetës të Fshatit SOS.
a.y/NOA