Tiranë, 14 dhjetor 2011, NOA- Kryebashkiaku Lulzim Basha së bashku me të shoqen Aurela dhe ambasadorin e OSBE-së në vendin tonë Eugen Wollfarth dhe bashkëshorten e tij Ana Maria ishin sot në çerdhen numër 11, në Laprakë.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, shkak për këtë vizitë ishte fakti se OSBE ka mundësuar paisjen e kësaj çerdheje, me mjete të domosdoshme, si shtretër, dyshekë, frigoriferë, ngrohëse, peshqirë, batanije, çarcafë, tapete dhe një kënd lojrash, duke kontribuar kështu në përmirësimin e ndjeshëm të kushteve, për 34 fëmijët e kësaj çerdheje, ndërkohë që Babagjyshi i Vitit të Ri ka shpërndarë dhurata të veçanta, dedikur këtyre fëmijëve.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Basha tha se, në buxhetin e vitit 2012, që do i paraqitet Këshillit Bashkiak, në datë 28 dhjetor, një vend të veçantë zë restaurimi i çerdheve dhe ndërtimi i çerdheve të reja dhe pajisja e tyre me të gjithë kushtet.
“Në planifikimin tonë afatmesëm synohet që brënda dy viteve të ardhshme, numri i çerdheve në të gjithë territorin e qytetit, të jetë i mjaftueshëm për të permbushur kërkesat e qytetarëve, kërkesë që sot është më e madhe, se sa mundësitë për t’i përballuar, me numrin e çerdheve aktuale”, u shpreh Basha.
Sipas tij në 24 muajt e ardhshëm, Tirana do lërë mbrapa kohën kur prindërit kërkojnë çerdhe e nuk ka mjaftueshëm vende për fëmijët e tyre dhe çerdhet e Tiranës të përmbushin plotësisht standardin europian, siç aplikohet kudo në Europë.
Nga ana e tij ambasadori Wollfarth theksoi se, “Me aq fonde sa mund të siguronim, u përpoqëm të ndihmonim këtë çerdhe, fëmijët e kësaj çerdhjeje, me disa pajisje të nevojshme, që t’i bëjnë ata të lumtur, jo vetëm për Krishtlindje por edhe për muaj të tërë në vijim”.
a.y/NOA