Tiranë, 14 dhjetor 2011, NOA- “Ndihem shumë mirë”, kështu u shpreh Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë, e cila kishte një axhendë të ngjeshur vendimesh, ndërsa nisjen e saj ia kushtoi shpjegimit mjekësor të dobësisë së ndier, apo lipotimisë e njohur tanimë mediatikisht, e cila përbëri edhe rastin e tretë për të, gjatë 23 viteve të fundit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al. Kryeministri shpjegoi se kontrollet mjekësore të dy ditëve të fundit treguan se sistemi shëndetësor i tij nuk njeh moshë. “Nga një check up që u bë rezultoi se në sistemin e të gjitha enëve të qarkullimit të gjakut të Sali Berishës nuk gjendet as edhe një pllakë e vetme ateromatoze, ateroskleroketike. Kjo do të thotë sistem që nuk ka moshë. Kisha bërë një kontroll me të gjitha para dy vitesh, madje desha edhe ta botoj, por e lashë. E bëra përsëri tani dhe u kërkua nëse kishte ndonjë pllakë të vogël kund, por ato ishin të lëmuara, pothuajse siç kanë lindur, natyrisht, jo si të asaj moshe”, u shpreh Kryeministri në krye të mbledhjes së përjavshme të qeverisë, që nisi në orën e përhershme, pas 11.00. Kryeministri Berisha i njohu anëtarët e kabinetit, por edhe mediat me atë çka don të thotë në gjuhën mjekësore një gjendje lipotimie. “Sot është një rend dite shumë i ngjeshur, por, natyrisht, mediat që janë dyfish të pranishme sot, presin këtu deklaratën time për gjendjen shëndetësore. Ndjehem shumë mirë. Ajo që pësova në datën 12 dhjetor, ishte një episod, sipas mjekëve, por edhe sipas anamnezës sime, pasi edhe ajo ka vlerën e vet, ishte një episod lipotimie i lidhur me një virozë”, u shpreh i pari i qeverisë. Sipas tij dobësia e 12 dhjetorit ishte e treta që kishte pësuar gjatë jetës. “Ky ishte i treti që unë kam pësuar gjatë jetës sime. I pari ka ndodhur në vitin '88 dhe në realitet ishte më i forti, gjë që më imponoi të bëj një ekzaminim të të gjitha sistemeve dhe që gjithçka dolën intakt. Pra, ishte në kuadrin e një virozë. Viruse që mesa duket kanë potenciale të ndikojnë ose të krijojnë episod të tillë, por, e vërteta është, si virozë ajo nuk ishte e fuqishme. Rasti tjetër ka ndodhur në Vlorë, dhjetë vjet më vonë, në vitin ’98. Ajo ishte në kuadrin e një virozë më të fuqishme. Dhe rasti i tretë, që ishte i çuditshëm se ishte më i lehti, ishte edhe ky në sfondin e një viroze. Shpjegimi për këtë është hiperenergjia. Në tërësi, këto japin temperaturë të lartë, kurse një organizëm që reagon fuqishëm ndaj tyre, reagon me energji të mëdha krijohen mesa duket episode të tilla, të cilat kanë ardhur në zvogëlim në fuqitë e tyre”, shpjegoi Kryeministri. Kryetari i Qeverisë shprehu mirënjohjen e tij për qytetarët, anëtarët e qeverisë, ekipin e mjekëve, që ndoqi ecurinë e shëndetit të tij, pas episodit të lipotimisë që përjetoi dy ditë më parë. “Dua të falenderoj me shumë mirënjohje ata mijëra qytetarë, të cilët më kanë shprehur urimet e tyre dhe t’i siguroj se ato urime kanë pasur tek unë një forcë të vërtetë shëruese, sepse episodet nuk janë vetëm fizike, për shembull, por edhe psikologjike. Kështu që ato ishin për mua ilaçi më i shkëlqyer. Të falenderoj mjekët, të cilët trajtuan dhe shqyrtuan me shumë përkushtim dhe kompetencë të madhe, këtë episod. Ishte edhe një rast për t’u bashkuar me miqtë e mi të vjetër dhe për t’u kthyer në memorien e disa kohërave të punës së përbashkët”, e mbylli shpjegimin e tij Kryetari i Qeverisë, Sali Berisha, për të vijuar mbledhjen e përjavshme paskëtaj, me dyer të mbyllura. NOA
Në foton e parë: Kryeministri Sali Berisha në mbledhje qeverie Në foton e dytë dhe të tretë: Momente nga dobësia që Kryeministri ndieu të hënën në 12 dhjetor, gjatë ceremonisë së kremtimit të 21-vjetorit të krijimit të PD-së.