English

Buxheti 2012, Basha: Trefishohen investimet publike në kryeqytet

Tiranë, 14 dhjetor 2011, NOA – Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha deklaroi sot se brenda javës do të nisë konsultimet me qytetarët e Tiranës për draft-buxhetin e Bashkisë për vitin 2012, që parashikon trefishimin e investimeve publike, krahasuar me periudhën më të mirë të këtyre investimeve përgjatë 20 viteve të fundit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Zoti Basha bëri me dije se Bashkia ka përfunduar hartimin e projekt-buxhetit për vitin 2012, duke premtuar se buxheti i vitit të ardhshëm do t’i japë zgjidhje shumë problematikave që shqetësojnë banorët e Tiranës ndër vite.

“Dy javët e ardhshme projekt - buxheti do i nënshtrohet një konsultimi me publikun dhe me qytetarët, para se të marrë vulën e Këshillit Bashkiak. Ky është lajmi që dua të ndaj sot me banorët e Laprakës, por edhe me banorët e Shkozës, Alliasit, me banorët e lagjeve qendrore të Tiranës, por që janë ndier “periferi”, sa i përket vëmendjes investuese të Bashkisë së Tiranës. Ne do i kthejmë sytë plotësisht nga këto lagje. Natyrisht, investime janë bërë edhe në të kaluarën, por ne do të synojmë për të bërë më shumë investime dhe me cilësi më të lartë në çdo lagje të Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Qytetari i parë i kryeqytetit tha se projekt-buxheti i përmbahet plotësisht filozofisë qytetare, asaj se, “qyteti nis nga pragu i derës së çdo qytetari”.

“Qendra ka rëndësinë e vet, sepse na përket të gjithëve, por qendra nuk është dhe nuk do të jetë më kurrë qendra e vetme e vëmendjes së Bashkisë së Tiranës. Qendra e vëmendjes së Bashkisë së Tiranës do të jetë kudo ku qyteti nis, përtej pragut të derës së çdo qytetari, çdo banese private, çdo pallati. Buxheti i vitit 2012 reflekton një trefishim të investimeve publike, krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës në këto 20 vite”, deklaroi Basha për mediat.

Sipas Bashës, punësimi, cilësia e jetës dhe infrastruktura janë tri shtyllat kryesore, mbi të cilat është hartuar projekt-buxheti i vitit 2012.

Ai nënvizoi se për punësimin, i shpallur si prioritet kryesor i Bashkisë së Tiranës janë parashikuar fonde për mbështetjen e biznesit, përmirësimin e klimës dhe krijimin e kushteve për investitorët dhe biznesin, në qytetin e Tiranës dhe krijimi i një fondi të veçantë për nxitjen e punësimit, përmirësimin e cilësisë së jetës, shërbimet sociale, qendrat sociale, banesat sociale, asistencën sociale, mbrojtjen e konsumatorëve.

Investimet nga buxheti i Bashkisë në infrastrukturë, parashikojnë rehabilitimin e shesheve në zona të ndryshme të Tiranës, krijimin e hapësirave të gjelbra, rikonstruksionin dhe ndërtimin e rrugëve në lagjet e qytetit, shkollat, kopshtet, çerdhet dhe ujësjellës – kanalizimet.

“Projekt - buxheti reflekton një shpërndarje të qartë të burimeve tona anembanë qytetit, pasi jemi konsultuar me kryetarët e 11 njësive bashkiake, pavarësisht ngjyrave partiake që përfaqësojnë. Projekt-buxheti parashikon investimet më të mëdha në infrastrukturën e çdo lagjeje, në infrastrukturën e çdo blloku anembanë qytetit”, tha Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

mit/NOA

KOMENTE