English

Dështimi i tretë ka filluar

Në këtë kontekst, opozita nuk duhet të mjaftohet me përgjegjësitë e saj, por të shkojë me tej. Të japë konsensus ku duhet dhënë dhe njëherësh të bëjë një opozitë të ndershme e të kualifikuar për kriteret e injoruara nga qeveria meqenëse “Europa është në krizë”.

Nga Preç Zogaj

Nënshkrimi pas tre vitesh i një deklarate të përbashkët midis delegacionit të Parlamentit Shqiptar dhe delegacionit të Parlamentit Europian për Stabilizim-Asocimin shënon një zhvillim pozitiv modest, që meriton të përshëndetet, por edhe të kuptohet e peshohet drejt, për aq vlerë sa ka, që të mos shohim ëndrra në diell sikur prej këtij momenti nuk kemi punë tjetër veçse të presim në peron trenin që do të na marrë me vete në paradhomën e BE-së.

Deklarata rikonfirmon vullnetin e dy partive kryesore për të punuar së bashku për dymbëdhjetë kriteret e bartura të BE-së dhe për reformën zgjedhore. E vërteta është se falë kursit të ri të opozitës, votimi i ligjeve me tre të pestat dhe përgatitjet për reformën zgjedhore bipartizane janë procese që kanë nisur përpara se të takoheshin dy delegacionet. Zhvillimet në këtë pikë kanë qenë dhe janë një hap përpara deklarimeve, gjë që sigurisht nuk e zbeh, por thjesht e tregon pjesërisht të ezauruar vlerën e deklaratës.

Në lidhje me angazhimet e tjera madhore, deklarata, si çdo dokument i ngjashëm, është një premisë për sukses, po jo vetë suksesi. Puna e madhe mbetet për t’u bërë. Reforma Zgjedhore është ende në shpërgënjtë e ideve. Paketa e kritereve apo kushteve që duhet të plotësojë Shqipëria për të marrë statusin e vendit kandidat po pret qeverinë.

Mirëpo, pikërisht në konceptimin e asaj që duhet të bëjmë për të kapur trenin e vitit 2012, po shfaqen sërish qëndrime dhe qasje tepër shqetësuese, të cilat vënë në dyshim suksesin e synimit, për të mos thënë paralajmërojnë qysh tani një dështim të ri të Shqipërisë për marrjen e statusit.

Prej disa javësh, edhe pse opozita ka përshtatur kursin e dialogut dhe bashkëpunimit me shumicën, kryeministri Berisha, në kundërsens me hapjen e palës përballë, ka vijuar me akuzat e vjetra dhe bajate sikur opozita është fajtore për refuzimin dy herë radhazi të Shqipërisë nga BE-ja. Edhe sikur kjo të kishte qenë e vërtetë kur jemi refuzuar, etika, profesionalizmi dhe kalorësia do të kërkonin që një akuzë e tillë të mos përmendej më sa kohë që e “fajtorja” ka pranuar “fajin” dhe ka ndryshuar qëndrim. Është e vështirë të kuptohet përse kryeministri i vendit nuk e ka mbajtur shënim këtë zhvillim të ri në kampin opozitar, por vazhdon të ngulmojë bashkë me disa nga ministrat e tij në një pikë tashmë të tejkaluar. Mos ishin më rehat kur opozita nuk bënte jetë aktive parlamentare dhe tani kanë dalë zbuluar në zakonin e tyre për t’i mbuluar dështimet, duke ua hedhur fajin të tjerëve? Mendja ta thotë se nga një anë Berisha me të vetët nuk marrin dot angazhime konkrete për plotësimin e kritereve që varen njëqind për qind nga qeveria, siç ka marrë opozita për ato pak kritere që varen 50 për qind prej saj. Qeveria ka mbërritur në pikën kur po të luftojë korrupsionin e niveleve të larta dhe po të dalë më një program konkret kundër kulturës së pandëshkueshmërisë, pret degën ku rri. Nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që në vitin e shtatë të pushtetit këta qeveritarë nuk dinë të bëjnë tjetër veçse propagandë, propagandë dhe vetëm propagandë, ndërkohë që të tjerët po bëjnë politikë.

Mirë, le të vazhdojnë në avazin e tyre. Le të nxjerrin dhjamë nga pleshti, lë të kënaqen nëse i kënaq kjo gjë. Problemi është se po lenë pa bërë detyrat e tyre, që janë me të shumta në numër dhe më të vështira se ato të opozitës. Rrjedhimisht vendi nuk e merr ftesën, edhe po të shkëlqejë opozita. Kjo është çështja.

Ministria e Integrimit, zonja Bregu, pikërisht ajo që duhet të jetë më e papolitizuara dhe më “europiania” e ministrave, citohet të ketë thënë para pak ditësh se problemi i vetëm që ka penguar për dy vjet me radhë marrjen e statusit të vendit kandidat ka qenë ngërçi politik i krijuar nga mungesa e vullnetit politik të opozitës për të votuar ligjet me tre të pestat, për t’u angazhuar në reformën zgjedhore dhe për të bashkëpunuar në plotësimin e dymbëdhjetë kritereve të BE-së!

Nuk ia vlen t’i kujtosh ministres së Integrimit se Europa ka numëruar dymbëdhjetë kritere, kushte apo probleme dhe jo një! Në logjikë të deklaratës së saj, tani që “problemi i vetëm” është vënë në rrugën e zgjidhjes – opozita po tregon vullnet politik – marrja e statusit është thjesht çështje e kalendarit të Europës! A mund të vërë dorën në zjarr kryeministrit i vendit për ketë? A mund ta garantojë popullin shqiptar se kaq duhet?

Po të jetë ky kuptimi zyrtar i qeverisë shqiptare për kriteret e BE-së mund ta themi qysh tani se dështimi i tretë ka filluar dhe Shqipëria nuk e merr as në vitin 2012 statusin e vendit kandidat. Sjellja e opozitës objektivisht ka pasur e ka një rol dytësor në këtë sfidë. Barrën e madhe e ka qeveria. Kriteret e peshës së rëndë janë ato që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me zgjedhjet e lira e të ndershme, me shëndetin dhe funksionimin e demokracisë. Shumica e kritereve janë detyrë ekskluzive e qeverisë. Po të bëjë qeveria detyrat e veta, Shqipëria e merr ftesën edhe po të mos i ketë bërë opozita detyrat e saj, madje edhe po të jetë një opozitë antieuropiane në program. Shembullin e kemi në Serbi. Duke u kapur si i mbyturi pas një kriteri tashmë në plotësim e sipër nga opozita e saj , qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e saj ose janë plotësisht mendjelehtë dhe të çoroditur- gjë që nuk ka se si ta besojmë- ose kanë shpallur pamundësinë për të plotësuar kushtet e tyre. Ky quhet dështim.

Kriza europiane e kësaj periudhe e ka ripërmasuar dështimin e deritanishëm të qeverisë “Berisha” me integrimin. Duke parë se si një pjesë e opinionit publik në vendet themeluese të BE-së po shprehen kundër Bashkimit, në vendin tonë ka njerëz që thonë andej këndej “më mirë ne, apo shyqyr që nuk jemi brenda”. Po ta vazhdojmë me humor të zi humorin gri të këtij shyqyri, do na duhet të themi se dështimet e qeverisë për integrimin janë suksesi i saj i vetëm në këtë periudhë tronditjesh për financat e mbarë botës!

Mënjanë shakatë, Europa do ta kalojë krizën e vet. Po të jetë nevoja të hapë vrima të tjera në rripin e shtrënguar do ta bëjë. Vitaliteti dhe intelekti i Kontinentit të vjetër do të ngadhënjejë. Ky diskutim na duhet e s’na duhet. Na duhet, sepse jemi vazhdim i Europës me një gamë të gjerë lidhjesh me të. Nuk na duhet në kuptimin se aspirata jonë kombëtare për integrim europian qëndron përtej luhatjeve dhe krizave të ndryshme që godasin kontinentin. Ne nuk kemi luksin e vendeve themeluese për të vënë në dyshim vlerën e Bashkimit Europian. Edhe po të jetë Europa në gjunjë, ne duhet të jemi duke trokitur me këmbëngulje, me respekt dhe me detyra të plotësuara në derën e saj. Madje, kriza e Europës duhet të shihet nga elita politike shqiptare si një rrethanë nxitëse për Shqipërinë. Për ne integrimi nuk ka lidhje me zigzaget e zhvillimit të Europës dhe SHBA-ve, por është një çështje madhore e fatit.

Në këtë kontekst, opozita nuk duhet të mjaftohet me përgjegjësitë e saj, por të shkojë me tej. Të japë konsensus ku duhet dhënë dhe njëherësh të bëjë një opozitë të ndershme e të kualifikuar për kriteret e injoruara nga qeveria meqenëse “Europa është në krizë”.

"Shekulli"

KOMENTE
  • libero13:57 - 14 Dhjetor 2011
    Asnje transparence nuk ka lidhur me reformat qe duhet te keryhen.C'po behet me reformen zgjedhore? eshte e domozdoshme qe Shqiperia jone e vogel te shohi me rastin e reformes zgjedhore per te pakesuar nr. e deputeteve ne parlament dhe specialistet e kesaj fushe e dine mire se si arrihet kjo.Pjestaret e komisionit per kete qellim nuk ndjehen se kerkojne te mos e ngacmojne fare kete problem .Po ashtu dhe per problemet e tjera qe garantojne zgjedhje ku vuneti i popullit te pakten te filloj te shkoje ne vend.Medja qe hesht dhe nuk jep informacion te perditshem rreth ketij problemi duhet te pekt sikletet e veta !!!.