Tiranë, 14 dhjetor 2011 NOA/ Irma Toptani – Ish-qendërmesfushori italian i futbollit e mandej trajneri i skuadrave të Breshias, Torinos dhe Udinezes, Gianni de Biasi është zyrtarisht nga sot trajneri i Kombëtares Shqiptare Kuq e Zi, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Lajmin e konfirmoi Federata Shqiptare e Futbollit, e cila bëri me dije se me trajnerin italian ka nënshkruasr një kontratë dy-vjeçare.
Për De Biasin kjo është hera e parë që drejton një skuadër kombëtare.
Pas largimit të trajnerit Josif Kuzhe, ajo e Gianni De Biasit dukej të ishte kandidatura më e parapëlqyer nga krerët e FSHF-së.
Kombëtarja Kuq e Zi nuk ka shënuar fitore në ndeshjet e fundit, andaj pritshmëritë për trajnerin De Biasi janë të shumta.
Gianni De Biasi ka luajtur me fanellën e Pescara-s në kampionatin italian të vitit 1977-1978.
Mandej ai u shfaq në fushën e gjelbër suksesshëm me fanellën e Brescia-s, me të cilën luajti plot 178 ndeshje dhe më pas me fanellën e Palermos në plot 105 ndeshje.
Ai u skualifikua mandej nga ndeshjet për shkak se u përfshi në një skandal bastesh dhe shitje ndeshjesh futbolli në vitin 1986.
De Biasi e mbylli karrierën e tij si futbollist në vitin 1990 me skuadrën Bassano Virtus.
55-vjeçari Gianni de Biasi ka qenë trajner i Breshias në vitet 2003-2005; i Torinos në vitin 2008-2009, mandej në 2009-ën ai merr në drejtim Udinezen.
Pas largimit nga bankina e Udinezes ai punoi si komentator teknik për kronikat televizive të “Europa League”, që transmetohen në Mediaset Premium.
mit/NOA