Tiranë, 14 dhjetor 2011, NOA Update – Komisioni i Ekonomisë miratoi vetëm me votat e mazhorancës dekretin e Presidentit të Republikës Bamir Topi, për emërimin në krye të KLSH-së të ish-ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Pas miratimit në grupin e demokratëve, kandidatura e Leskaj u miratua sot në Komisionin e Ekonomisë, ndërkohë që deputetët socialistë e abstenuan atë.
Bujar Leskaj në krye të prezantimit të vizionit të tij përballë deputetëve deklaroi se posa të marrë detyrën do të dorëzojë imunitetin e kreut të KLSH-së dhe se do të bashkëpunojë fort me Prokurorinë, në mënyrë që kontrollet e administratës fiskale, kontrollet në mënyrën e tenderimit dhe dhënies së koncesioneve dhe kryerjes së privatizimeve, të jenë sa më efikase.
Ish-ministri i Turizmit Bujar Leskaj, u propozua në krye të KLSH-së nga Presidenti Bamir Topi në 17 nëntor.
Opozita përmes Kryetarit të opozitës, Edi Rama paralajmëroi votën kundër Leskajt, dekreti me emrin e të cilit do të hidhet në votë këtë të enjte në Kuvend.
Ndërsa dekreti i Presidentit me emrin e Bujar Leskaj u miratua nga mazhoranca, më herët demokratët rrëzuan dekretin me kandidaturën e Sali Shehut për këtë post, nën pretendimin se ai nuk përmbushte kriteret kualitative për drejtimin e KLSH-së.
mit/NOA