Tiranë, 14 dhjetor 2011, NOA – Një ditë pas anulimit të vizitës në Malin e Zi për shkak të dobësisë shëndetësore të ndier mbrëmjen e 12 dhjetorit kur po përshëndeste në në ceremoninë e kremtimit të 21-vjetorit të themelimit të PD-së, kryeministri Sali Berisha i rikthyer në punë deklaroi sot se priste me kënaqësi të udhëtonte përdrejt vendit fqinj.
Këtë kryeministri e shprehu gjatë takimit në zyrën e tij, me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Malit të Zi, Milan Roćen, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të Ministerialit të A-5.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të kryeministrisë, bëhet me dije se Kryeministri Berisha i tha ministrit Roćen se pret me kënaqësi zhvillimin së shpejti të vizitës zyrtare në vendin fqinj dhe mik, në Mal të Zi, e cila ishte planifikuar të zhvillohej një ditë më parë.
Ministri malazez Milan Roćen i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit Igor Lukšić, Presidentit Filip Vujanović, si dhe dëshirën e tyre për ta pritur atë sa më parë.
Kjo vizitë pritet të sjellë një kontribut të ri në zgjerimin dhe forcimin e miqësisë e bashkëpunimit shumë të mirë që ekziston midis dy vendeve e qeverive.
mit/NOA