Tiranë, 14 dhjetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, që në orët e para të mëngjesit vranësirat do të dominojnë në të gjithë vendin ndërsa gjatë mesditës do të ketë shtim të vranësirave dhe shira të dobët si fillim në zonat bregdetare dhe gjatë orëve në vijim në të gjithë territorin shqiptar. Reshje të konsiderueshme shiu do të bien në veri dhe veriperëndim të vendit.
Edhe gjatë pasdites vranësirat dhe shirat do të dominojnë në të gjithë vendin por në veri dhe veriperëndim shirat do të bien në formë rrebeshi ndërsa gjatë natës në zonat malore si pasojë e uljes së temperaturave do të ketë edhe dëborë të pakët. Në të njëjtat kushte atmosferike me mot të paqëndrueshëm do të mbetemi edhe gjatë natës deri në mëngjesin pasardhës.
Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në vlerat e mëngjesit ndërsa mesdita do të ruajë të njëjtat vlera të tyre.
Era do të fryjë mesatare me shpejtësi 35 km/h nga drejtimi veriperëndimor, kjo do të bëjë që në det dallgëzimi të arijë deri në 2 ballë.
Europa
Sërish nesër, Europa verilindore, veriperëndimore dhe Europa Qendrore do të karakterizohen nga kushte të paqëndrueshme atmosferike pasi vranësirat dhe reshjet e shiut dhe të dëborës do të dominojnë këto rajone. Dëborë të dendur do të ketë në Finlandë dhe në Rusi e cila do të shoqërohet me stuhi të forta ere. Problematike situata nga rrebeshet e shiut do të paraqitet në Ishujt Britanike dhe në Veri të Francës pasi vranësirat do të fuqizohen më tej dhe për pasojë do të gjenerojnë shira të konsiderueshëm. Gjithashtu reshje të konsiderueshme shiu e dëbore do të ketë edhe në Europën Qendrore ndërsa gjatë mesditës sistemi i vranësirave do të zhvendoset drejt zonës së Alpeve duke u shtrirë deri në Rajonin e Mesdheut. Sidomos në Ballkanin Verior ku reshjet e shiut dhe të dëborës do të jenë më të përqendruara. Ndërsa pjesa tjetër e kontinentit Europian do të mbetet me mot të kthjellët dhe vranësira kalimtare.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Ballkani do të rrezikohet për reshje shiu e dëborë
- Ishujt Britanik do të mbeten me shira të dendur dhe erë të fortë
- Franca do të alarmojë për shira intensiv dhe erë të fortë
a.y/NOA