KM jep me koncension shërbimin e mirëmbajtjes së autostradës Milot-Morinë
Tiranë, 14 dhjetor 2011, NOA – Ndërsa një vit më parë për shkak të reshjeve të dendura të dhjetorit, kryeqendra e veriut do të shndërrohej në një lumë ku mund të kaloje përtej, vetëm me barkë, mungesa e reshjeve të shiut këtë vit ka bërë që Qeveria të autorizojë Korporatën Energjitike Shqiptare të marrë një kredi në shumën 4.5 miliardë lekë, për të përballuar situatën energjetike në vend, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Vendimi është marrë sot në mbledhjen e qeverisë dhe është bërë publik në faqen zyrtare.
Akti normativ i qeverisë u mor pasi situata hidrike në vend është jo e favorshme dhe vjen si pasojë e mungesës së reshjeve, të domosdoshme në këtë stinë edhe për prodhimin e energjisë.
Vendimi përputhet, sipas qeverisë me prioritetin absolut të qeverisë për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me energji për konsumatorët shqiptarë.
Por, një tjetër vendim i rëndësishëm i qeverisë është dhënia me koncesion e shërbimit të mirëmbajtjes së autostradës Milot-Morinë.
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të shërbimit të mirëmbajtjes, rehabilitimit dhe operimit të autostradës Milot-Morinë”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Autoriteti kontraktues propozohet të jetë ministria e Punëve Publike dhe Transportit, e cila ka bërë shqyrtimin dhe vlerësimin e projektit të propozuar për koncesion mbi bazën e analizës së rentabilitetit, fizibilitetit dhe të përshtatshmërisë financiare.
Ky vendim, sipas qeverisë do të bëjë të mundur fillimin e procedurave për dhënien me koncesion të këtij projekti.
Gjithashtu gjatë mbledhjes së qeverisë miratohen disa shtesa në vendimin për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike.
Këshilli i Ministrave miratoi disa shtesa e ndryshime “Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike”.
Ky vendim mundëson realizimin e deklarimit të detyrueshëm në organet tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike, edhe i të dhënave të dokumentit listëpagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, si dhe i të dhënave për ndryshimin e numrit të punonjësve, nga ana e të gjithë tatimpaguesve.
Realizimi i deklarimit elektronik është një masë e rëndësishme që do të ndikojë në rritjen e efektivitetit të administratës për minimizimin e evazionit në tregun e punës, saktësisë dhe lehtësimit të shkëmbimit midis institucioneve të të dhënave për kontributet e paguara nga subjektet dhe për punonjësit e tyre, me qëllim evidentimin e saktë dhe krijimin e historikut të kontributeve për çdo kontributpagues mbi bazën e të cilit ata do të marrin përfitimet përkatëse nga skema e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
mit/NOA