Tiranë, 14 dhjetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Një vendim i qeverisë i ditës së sotme jep detaje lidhur me trajtimin financiar të zyrtarëve që dërgohen me shërbim jashtë shtetit dhe ndryshimet që ndodhin në këtë vendim.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, për ministrinë dhe çdo institucion të varësisë së saj, për aparatet e Presidencës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave dhe institucionet në varësi të Kryeministrit, parashikohet strehimi në hotel me 5 yje ndërsa për zyrtarët e tjerë strehimi është më i thjeshtë.
Por duket se kursimet kanë prekur edhe zyrtarët dhe shërbimet e tyre dhe dietat për to, kjo pasi në vendim thuhet se shpenzimet për transportin urban, metro, tramvaj, autobus etj, përballohen nga vetë punonjësi.
Në këtë linjë theksohet se telefonatat nga hoteli apo telefoni celular personal nuk mbulohen nga shpenzimet e institucionit, por nga vetë punonjësi.
Ndërsa veçohet fakti se nëse pritësi merr përsipër përballimin e shpenzimeve të ushqimit, në të holla ose mënyrë tjetër, dhe pavarësisht nga vlera këtij shpenzimi, punonjësi nuk trajtohet me dietë.
Sakaq në vendim theksohet edhe fakti se dieta ditore për zyrtarët me shërbim jashtë shtetit është 25 euro ose dollarë në ditë, në varësi të vendit ku shkon zyrtari.
V E N D I MI
PËR
TRAJTIMIN FINANCIAR TË PUNONJËSVE QË DËRGOHEN ME SHËRBIM JASHTË VENDIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutes, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Punonjësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme që dërgohen me shërbim jashtë vendit, për të marrë pjesë në veprimtari të ndryshme ndërkombëtare, trajtohen financiarisht për përballimin e shpenzimeve të shërbimit.
Trajtim financiar përfitojnë edhe punonjësit e përfaqësive tona jashtë vendit, kur emërohen, transferohen, dërgohen me shërbim jashtë përfaqësisë ose në një vend tjetër të huaj, si dhe kur kthehen në atdhe me shërbim.
Dërgimi me shërbim jashtë vendit bëhet me urdhër të titullarit të institucionit qendror, nga i cili varet njësia shpenzuese, ose të deleguarit të tij. Titullar institucioni qendror, në kuptim të këtij vendimi, është:
Për njësitë e qeverisjes qendrore:
I) për ministrinë dhe çdo institucion të varësisë së saj është ministri ose i deleguari i tij;
II) për aparatet e Presidencës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave dhe institucionet në varësi të Kryeministrit, si dhe për entet kushtetuese, është sekretari i Përgjithshëm përkatës;
III) për punonjësit e institucioneve të tjera të pavarura, është titullari i institucionit;
IV) për punonjësit e gjykatës është kryetari i Gjykatës.
V) Për njësitë e qeverisjes vendore, është kryetari njësisë vendore
VI) Për fondet speciale, është titullari i fondit special.
Trajtimi financiar i punonjësve që dërgohen me shërbim në vendet e kontinentit europian bëhet në euro, ndërsa për vendet e kontinenteve të tjera në USD (dollar amerikan). Trajtimi financiar përfshin:
-dietën ditore,
-shpenzimet e transportit,
-shpenzimet e fjetjes,
-shpenzimet për pagesa të ndryshme.
Trajtimi financiar i punonjësve miratohet me urdhër të brendshëm shërbimi nga drejtuesi i institucionit, pas marrjes së autorizimit nga titullari i institucionit qendror nga i cili varet njësia shpenzuese, i specifikuar sipas pikës 3, të këtij vendimi.
Masa e dietës ditore, sipas kategorive dhe funksioneve, paraqitet në lidhjen 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Për efekt të llogaritjes së dietave, dita e nisjes dhe e kthimit nga shërbimi konsiderohet si gjysmë (1/2) dite. Në rastet kur:
nisja bëhet përpara orës 8.00 dhe kthimi pas orës 20.00, dita përkatëse konsiderohet e plotë;
nisja dhe kthimi jashtë vendit bëhet brenda ditës, dita konsiderohet e plotë. Në këtë rast, nëse shihet e domosdoshme, mund të lejohet edhe rezervimi i një dhome hoteli, për qëllime të akomodimit të pjesshëm, por kjo gjithmonë e paracaktuar në urdhrin e titullarit të institucionit.
Në shpenzimet e transportit përfshihen:
shpenzimet e transportit vajtje - ardhje jashtë vendit;
shpenzimet e transportit nga aeroporti në destinacion dhe anasjelltas;
shpenzimet për lëvizjet në qytete të ndryshme, për nevoja pune, brenda shtetit përkatës, të cilat janë të përcaktuara paraprakisht në urdhrin e shërbimit.
Shpenzimet për transportin urban (metro, tramvaj, autobus etj) përballohen nga vetë punonjësi.
Në shpenzimet e fjetjes përfshihet fatura e hotelit të përzgjedhur, si rregull, në mënyrë të diferencuar, për kategoritë sipas numrave rendorë të lidhjes 1, si më poshtë vijon:
a) për kategoritë 1, 2, 3 - hotel deri me 5 yje;
b) për kategoritë 4, 5, 6 - hotel deri me 4 yje;
c) për kategoritë 7, 8 - hotel deri me 3 yje.
Në raste të veçanta, kur organizohen veprimtari ndërkombetare, ku rezervimi bëhet nga organizatorët ose organizimi i veprimtarisë nuk lejon ndarjen e grupit në hotele të ndryshme, shpenzimet e fjetjes njihen sipas faturës përkatëse. Në rastet kur distanca nga hoteli në destinacionin ku kryhet veprimtaria, duke respektuar kategoritë e mësipërme, është e konsiderueshme, drejtuesi i institucionit miraton, në urdhrin e shërbimit, lëvizjen në kategoritë e mësiperme të hotelit (jo më shumë se një kategori). Çdo institucion nxjerr rregulla të brendshme për organizimin e punës për sigurimin e hoteleve me koston më të ulët.
Shpenzimet për pagesa të tjera përfshijnë pagesa që lidhen me udhëtimin jashtë vendit si: siguracion shëndetësor, viza, taksa, qira zyre etj. Telefonatat nga hoteli apo telefoni celular personal nuk mbulohen nga shpenzimet e institucionit, por nga vetë punonjësi.
Shpenzimet e transportit, të fjetjes dhe pagesat e tjera, në të gjitha rastet, njihen dhe paguhen sipas dokumentit përkatës justifikues (faturës, biletës etj).
Trajtimi financiar i punonjësve, për mbulimin e shpenzimeve të përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi, përballohet nga fondet përkatëse të miratuara për çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme. Në rastet kur këto shpenzime janë:
plotësisht në ngarkim të palës pritëse, punonjësit nuk trajtohen financiarisht nga buxheti i institucionit të tyre dhe nuk i detyrohen për asgjë këtij institucioni;
pjesërisht në ngarkim të palës pritëse, të cilat dokumentohen zyrtarisht nga pritësi, buxheti i institucionit përkatës përballon pjesën tjetër të shpenzimeve.
Në të gjitha rastet, nëse pritësi merr përsipër përballimin e shpenzimeve të ushqimit, në të holla ose mënyrë tjetër, dhe pavarësisht nga vlera këtij shpenzimi, punonjësi nuk trajtohet me dietë.
Trajtim financiar përfitojnë punonjësit edhe kur dërgohen jashtë vendit për trajnime afatshkurtra, me urdhër të titullarit të institucionit qendror ose të deleguarit të tij, në rastet kur:
shpenzimet mbulohen tërësisht nga buxheti i shtetit. Në këte rast, masa e dietës, përllogaritet në masën 25 euro/USD në ditë;
shpenzimet mbulohen pjesërisht nga pala pritëse dhe në dokumentacionin e palës pritëse parashikohet shprehimisht mënyra e mbulimit të shpenzimeve. Në rastin kur pala pritëse nuk mbulon trajtimin me ushqim apo me të holla të punonjësit, buxheti i shtetit mbulon trajtimin financiar në masën 25 euro/USD në ditë.
Këto rregulla zbatohen edhe për entet publike jobuxhetore, ndërmarjet shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital mbi 50 për qind shtetëror.
Ngarkohet ministri i Financave për nxjerrjen e udhëzimit për zbatimin e këtij vendimi.
Vendimi nr.304, datë 8.5.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimeve dhe për dietat për punonjësit e ministrive dhe të institucioneve buxhetore, kur dalin me shërbim jashtë shtetit”, shfuqizohet.
a.y/NOA