Prishtinë, 14 dhjetor 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i pranishëm në takimin e radhës të Grupit Ndërministror për Decentralizim tha se Kosova, me komunat e reja, shoqërinë shumetnike, si shtet unik, do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Mësohet se në këtë takim merrte pjesë edhe shefi i ICO-së, Piter Feith.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, në fjalën e mbajtur me këtë rast Thaçi u shpreh se, qëllimi kryesor për decentralizimin e pushtetit, është ofrimi i shërbimeve më të mira publike në të gjithë sektorët dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës në çdo kënd të saj.
“Tri vite që kur ka filluar decentralizimi, ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim përkatësie etnike. Efekti më i madh është pikërisht integrimi i komunitetit serb në komunat e banuara me shumicë prej tyre. Sot, komuniteti serb në Kosovë është integruar dhe përbën pjesë të plotë të institucioneve të shoqërisë kosovare”, u shpreh Thaçi.
Thaçi theksoi se suksesi në procesin e reformimit të pushtetit lokal, i ka dhënë edhe pamjen dhe përmbajtjen e plotë Kosovës së re, Kosovës europiane.
a.y/NOA