English

Topalli:Thellim të marrëdhënieve tregtare me Bosnje-Hercegovinën

Tiranë, 14 dhjetor 2011, NOA- Kryeparlamentarja Jozefina Topalli priti sot në takim homologun e saj nga Bosnje-Hercegovina, Denis Becirovic.

Në fjalën e mbajtur për mediat Topalli tha se, Bosnje-Hercegovina dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera politike, nuk kanë asnjë problem midis njëra-tjetrës.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, kryeparlamentarja u shpreh se, “Si dy kryetar parlamentesh respektive dhe në interesin e përbashkët të dy vendeve, ne do përpiqemi që t’i nxisim dhe t’i inkurajojmë më tej këto raporte të mira që të kenë një përgjigje pozitive, konkrete në volumin e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve tona. Kjo është në interesin tonë të përbashkët”.

Sipas saj, në kohën kur bota po përballet me një krizë globale të rëndë, duhet një bashkëpunim më i ngushtë, më efektiv, më efikas dhe me terma konkret në fushën e ekonomisë, në fushën e infrastrukturës, në fushën e turizmit, në të gjitha fushat e interesit reciprok.

Nga ana e tij Becirovic tha se, “Unë bisedova dhe me Kryeministrin në një takim sot në mëngjes, që të hapim një linjë direkte ajrore nga Sarajeva në Tiranë. Ky do të ishte një kontribut për komunikimin, jo thjesht mes politikanëve dhe biznesmenëve por edhe përsa i përket fushës së turizmit”.

Ai shtoi se në muajt në vijim, do bëhet një prezantim i potencialeve turistike të Bosnje-Hercegovinës në Shqipëri, në interes të personave të angazhuar në fushën e turizmit, qytetarëve dhe biznesmenëve.

Sakaq kryeparlamentiari i Bosnje-Hercegovinës theksoi se, një urë lidhëse shumë e rëndësishme midis dy vendeve janë dhe minoritetet etnike, nga vendet reciproke, ato shqiptare në Bosnje Hercegovinë dhe ato boshnjake në Shqipëri, ku kërkoi që minoriteti boshnjak të njihet zyrtarisht ashtu sikurse ështgë njohur në Bosnje Hercegovinë minoriteti shqiptar.

a.y/NOA

KOMENTE