Tiranë, 14 dhjetor 2011, NOA- Ditën e sotme u zhvillua në Tiranë Takimi i Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Shqipëria kryeson Kartën e Adriatikut të vendeve të A5 + SHBA nga muaji qershor-dhjetor 2011.
Ky takim përkon me datën kur Shqipëria është bërë anëtare e OKB-së dhe është një ditë simbolike për rolin gjithnjë e në rritje që vendi ynë luan, si në aspektin rajonal dhe në atë ndërkombëtar.
Në cilësinë e kryesuesit të këtij forumi, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ftoi në këtë takim Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Rajonit dhe përfaqësues të SHBA dhe të Aleancës. Mësohet se çështjet kryesore që u diskutuan në këtë takim ishin siguria dhe bashkëpunimi si garanci për stabilitetin rajonal e më gjerë, ecuria dhe përparimi i vendeve para Samitit të NATO-s në Çikago, si dhe çështje të tjera që lidhen me rritjen e mbështetjes publike për NATO-n, duke angazhuar shoqërinë civile për integrimin Euro-Atlantik të Evropës Juglindore.
Në përfundim të Takimit vendet anëtare të Kartës së Adriatikut miratuan një Komunikatë të Përbashkët, ku shprehën angazhimin e tyre për integrimin Euro-Atlantik të Rajonit, duke identifikuar rrugë të reja praktike për bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si bazë për stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
Në takimin e Komisionit të Partneritetit, morën pjesë Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut (A5), përfaqësuesi i SHBA-së, si dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës. I ftuar i veçantë në këtë takim ishte z. James Appathurai, Z. Asistent i Sekretarit të Përgjithshëm për Çështje Politike dhe të Sigurisë në NATO.
a.y/NOA