Tiranë, 15 dhjetor 2011, NOA/ Ariola Ymeraj Update – Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se presidenti Bamir Topi duhet të kishte dhënë dorëheqjen para se të niste diskutimet për krijimin e partisë.
Berisha u shpreh se në mënyrë absolute, Topi nuk jetë kandidat i Partisë Demokratike për një mandat tjetër në PD.
“Ai ka një rrugë, të jepte dorëheqjen. Le të thoshte; meqenëse mazhoranca që më ka votuar nuk do të më kandidojë dhe jap dorëheqjen dhe unë nuk do ta kandidojë. Absolutisht që nuk do ta rikandidojmë”, tha Berisha.
Kreu i mazhorancës u shpreh se veprimet e kreut të shtetit janë në kundërshtim me dinjitetin dhe ligjin për Presidentin, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Berisha foli dhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit duke e cilësuar zgjedhjen e PS-së si fabrikim të interesave të kreut të PS-së, Edi Rama.
“Kam qenë dhe mbetëm i bindur se Avokati i Popullit duhet t’i përkas opozitës. Ai duhet të jetë një avokat i qytetarëve. Rama e përdori në mënyrën më të veçantë. E fabrikoi nga zyrtar e partisë. Kush është ky zotëria. Ky nuk ka asgjë socialiste. Ky do i marrë votat. Ne do e votojmë pa asnjë diskutim. Ne besonim se do vinte të mbronte opozitat dhe jo interesat e klaneve më të ngushtë”, tha Berisha.
Më herët në këtë emision, Kryeministri Sali Berisha në një intervistë të drejtpërdrejtë televizive ka thumbuar sonte kryetarin socialist se në vend të dalë publikisht për të shprehur qëndrimet e tij, po përdor “ciu-ciu”-n, duke nënkuptuar rrjetin social Twitter që ka si ikonë një zog raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
“Edi Rama i është kthyer komunikimit me ciu ciu. Kjo nuk është domethënëse. Unë komunikoj gjithë ditën me sms. Unë e kam dhënë numrin tim, e kam bërë publik në vitin 2005 dhe janë me qindra mijë sms që marr dhe çoj. Por të përdorësh Twitter për të hyrë pas dere, nuk mendoj se funksionon”.
“Ne jemi të detyruar që qëndrimet tona t’i bëjmë të qarta, jo me Twitter apo qoftë dhe me Facebook, por të dalim publikisht për t’i shprehur ato”, tha z.Berisha në intervistën për Tv Klan në emisionin “Opinion”.
Kurse theksoi: “Unë kam disa profile personale me emrin tim në Facebook por asnjëra nuk është e imja”.
a.y/NOA