Tiranë, 15 dhjetor 2011, NOA/ Irma Toptani – Me 70 vota pro, 61 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi miratoi pasditen e të enjtes dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit të ish-ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Pas miratimit në Komisionin e Ekonomisë dje, Kuvendi miratoi sot vetëm me votat e mazhorancës kandidaturën e Bujar Leskaj për postin e kreut të KLSH-së.
Ndërkohë opozita votoi kundër dekretit të Presidentit.
Bujar Leskaj gjatë seancës së djeshme në Komisionin e Ekonomisë prezantoi vizionin e tij të drejtimit të KLSH-së duke deklaruar se hapi i parë i tij posa të marrë detyrën do të jetë dorëzimi i imunitetit të kreut të KLSH-së, një projekt ky i propaganduar nga e djathta.
Leskaj tha se do të bashkëpunojë fort me Prokurorinë, në mënyrë që kontrollet e administratës fiskale, të tenderimit dhe dhënies së koncesioneve dhe kryerjes së privatizimeve, të jenë sa më efikase.
Ish-ministri i Turizmit Bujar Leskaj, u propozua si kandidat për postin e kreut të KLSH-së nga Presidenti i Republikës Bamir Topi në 17 nëntor.
Disa javë më parë demokratët rrëzuan dekretin e parë të Presidentit me kandidaturën e Sali Shehut për postin e kreut të KLSH-së, me pretendimin se ai nuk përmbushte kriteret kualitative për drejtimin e KLSH-së.
mit/NOA