English

ERE: Nuk rritet çmimi i energjisë elektrike për 3 vitet e ardhshme

Tiranë, 15 dhjetor 2011, NOA – Pavarësisht kërkesës së tre operatorëve, Enti Rregullator të Energjisë, i mbledhur sot në mesditë vendosi para pak minutash të mos rrisë çmimin e energjisë për konsumatorin për tre vitet e ardhshme, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Rritjen e çmimit të energjisë e kishin kërkuar Korporata Energjetike Shqiptare, kompania CEZ Shpërndarje dhe OST.

Por, ashtu siç kishte paralajmëruar Enti Rregullator i Energjisë nuk ka bërë ndryshim të çmimit të energjisë dhe tarifave për asnjë kategori, as për familjarët, as për bizneset dhe as për administratën.

Kreu i ERE-s Sokol Ramadani nënvizoi se për vendimin e sotëm ky ERE u udhëhoq nga interesi i konsumatorit.

Sipas kreut të ERE-së Sokol Ramadani familjarët do të paguajnë 7.7 lekë /KW deri në 300 KW energji dhe 13.5 lekë/KW në mbi 300 KW energji të harxhuar.

Ekspertët e ERE-s thanë se me këtë vendim mbrohet konsumatori shqiptar nga efektet monopol mbi energjinë elektrike.

Biznesi e kishte kundërshtuar masën për rritjen e energjisë duke e argumentuar me faktin se në kushtet e krizës globale të borxheve, e cila ka mbërthyer ekonominë europiane dhe rajonale, rritja e çmimit të energjisë do të sillte pasoja të paparashikueshme të rënda për prodhimin vendor, ekonominë shqiptare në përgjithësi dhe do të largonte investimet e huaja.

Sipas ekspertëve, rritja e çmimit të energjisë do të pasonte uljen e forcës së konkurrueshmërisë së industrive vendase përballë prodhimeve dhe shërbimeve të ngjashme të importit.

Në fund të muajit të shkuar KESH i kërkoi ERE-s të rriste çmimin e energjisë elektrike nga 1.48 deri në 5.05 lekë për kilovat/orë; CEZ Shpërndarje kërkoi një rritje prej 4.6 lekë për kv/orë ose me 0 lekë, nëse i falen borxhet ndaj shtetit, ndërsa OST kërkoi një rritje nga 0.6 lekë në 0.73 lekë, të çmimit të energjisë elektrike.

mit/NOA

KOMENTE