English

Fondet IPA, si Kosova po humb miliona

Edhe pse ky vend ka nevojë për ambient më të pastër, ajër më të pastër, në përgjithësi për infrastrukturë për jetë më të shëndetshme dhe të kualitetit të lartë, për rritjen e besimit në gjyqësi, administratë publike funksionale, për dogana moderne për shërbime kualitative, rrugë etj, u dëshmuar se nuk kemi kapacitete, resurse njerëzore për ti tërhequr paratë e BE-së

Nga Muhamer Pajaziti

Me Instrumentin e ri të Ndihmës për Para-Anëtarësim (IPA), nga data 1 janar e vitit 2007 edhe Kosovës iu mundësua të përfitojë nga fondet evropiane. Ndihma e BE-së, në suaza të programit IPA, ka për qëllim të ndihmojë vendin të përfundojë reformat e planifikuara dhe të domosdoshme për arritjen e anëtarësimit në BE. Ishte një mundësi e madhe që me paratë e fondeve strukturore edhe Kosova t’i afrohet pak a shumë nivelit të mirëqenies së vendeve evropiane duke kontribuar në përmirësimin e zhvillimit ekonomik, administrativ, arsimor dhe social të vendit.

Megjithatë, nuk ndodhi kështu, si pasojë e ngecjes së reformave, si dhe pamundësisë për të krijuar një sistem funksional institucional, legjislativ si dhe kapacitete administrative për ti menaxhuar me sukses fondet IPA.

Mungojnë investimet dhe reformat

Edhe pse ky vend ka nevojë për ambient më të pastër, ajër më të pastër, në përgjithësi për infrastrukturë për jetë më të shëndetshme dhe të kualitetit të lartë, për rritjen e besimit në gjyqësi, administratë publike funksionale, për dogana moderne për shërbime kualitative, rrugë etj, u dëshmuar se nuk kemi kapacitete, resurse njerëzore për ti tërhequr paratë e BE-së.

Tashmë katër vite, institucionet e Kosovës nuk arritën t’i shtojnë kapacitetet e tyre për thithjen e fondeve evropiane për të përshpejtuar integrimin në këtë organizatë supranacinale. Një nga shenjet, se vendi nuk është gati për BE-në është, se ende po presim, që institucionet evropiane, organizatat e huaja të përfitojnë nga projektet dhe ti implementojnë ato në Kosovë, jo ne vetë të vendosim çfarë të bëjmë. Derisa mungojnë investimet dhe reformat në fushat të cilat janë të parapara me kriteret e Kopenhagës për anëtarësim në BE, Kosova do të vonohet në këtë rrugëtim.

Mosmarrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE do t’i kushtojë Kosovës, ashtu sikur edhe Shqipërisë me mosmarrjen e afro 400 milionë eurove në pesë vjetët e ardhshme, nga skemat e ndihmës financiare të BE-së.

IPA, programi me të cilin BE kanalizon ndihmën për shtetet që janë në proces anëtarësimi, është i ndarë në pesë komponentë financimi. Por, vendet që ndodhen në stadin e Kosovës, pa statusin e kandidatit, përfitojnë vetëm nga dy prej tyre, respektivisht asistencën e tranzicionit dhe bashkëpunimit ndërkufitar. Kur është fjala për Kosovën, buxheti i përgjithshëm për periudhën kohore 2007-2013 është 565,1 milionë euro. Por, nëse do të kishte marrë statusin e vendit kandidat, llogaritet qe shuma do ishte gati dy herë më e lartë, ose rreth 400 milionë euro të tjera, pasi Kosova do të kishte qasje edhe në tre komponentët e tjera, ajo e zhvillimit rajonal, atij rural dhe zhvillimin e resurseve njerëzore.

Përvetësimi i fondeve IPA, një detyrë e vështirë për Qeverinë

Qeveria e Kosovës shumë pak është përpjekur për ta sqaruar rëndësinë e fondeve IPA, për t’i edukuar zyrtarët e saj kompetentë për hartimin e projekteve dhe tërheqjen e këtyre parave.

Në këtë drejtim mungojnë trajnimet, broshurat, video materiale dhe strategji për të sqaruar tërë këtë situatë jo të volitshme. Për këtë arsye ekziston konfuzion rreth asaj së çka saktësisht bëhet nëpër ministri dhe sektorë dhe nën ç’udhëheqje kur bëhet fjalë për Fondet IPA. Problem tjetër është planifikimi i pakoordinuar i procesit programues dhe realizimit të tij. Konsultimet me OJQ-të mund që të ndihmojnë në kapërcimin e problemeve të përmendura më parë dhe në hartimin e planeve strategjike, pasi që ata janë të njoftuara me situatën në terren.

Megjithatë, një praktikë e tillë nuk ekziston këtu. Pikë së pari, mungojnë të dhëna statistikore rreth asaj se sa nga OJQ-të janë kualifikuar për projekte IPA dhe për programet tjera të komuniteteve dhe sa prej tyre procentualisht rregullisht aplikojnë për grante. Domethënë nuk mund që të vërtetohet sa është njohuria e procesit të aplikimit për fondet e BE-së nëpër OJQ-të e Kosovës. E njëjta situatë më parë ka qenë edhe në Maqedoni, ndërsa tani është tejkaluar.

Në këtë drejtim, edhe përvoja e Kroacisë mundet t’i ndihmojë Kosovës në përmirësimin e kapaciteteve për tërheqjen e fondeve të lartë-përmendura. Do ishte mirë që sikur në Kroaci të hapet një zyre qendrore për strategji zhvillimore dhe koordinuese të fondeve të BE-së, e cila do të kryente detyra profesionale dhe administrative.

Që të ketë sukses në shfrytëzimin e fondeve evropiane Qeveria e Kosovës duhet të formojë ose autorizojë agjenci për koordinimin e fondeve, të zhvilloje instrumentin për përhapje dhe informim, të zhvillojë konsultime të vazhdueshme gjatë përgatitjes së dokumenteve strategjike me misionin e KE-së dhe sektorin joqeveritar dhe privat në Kosovë si dhe të kontribuojë në edukimin joformal për mundësitë e financimit të BE-së si parakusht për pasjen e aplikacioneve të suksesshme dhe projekteve të fituara.

Duhet të kuptojmë më në fund që vetë ne vendosim në çfarë Evrope dëshirojmë të jetojmë, çfarë pamje dëshirojmë të ketë Evropa gjatë vitit 2020. Tani duhet të vendosim edhe si dëshirojmë të duket Kosova gjatë vitit 2020.

* Dërguar nga autori, ligjërues në Kolegjin ISPE

KOMENTE