English

Hana: Ndërhyrje në ligj që mjekët të kenë sigurimin e profesionit

Tiranë, 15 dhjetor 2011, NOA- Drejtoresha e ISKSH Elvana Hana, pas lidhjes së kontratave me spitalet në të gjithë vendin, u shpreh se janë konstatuar disa prej problemeve qe lidhen me buxhetet e spitaleve, një prej të cilëve është dëmshpërblimi i pacientëve nga fondet e spitalit.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, Hana propozoi krijimin e një ligji për sigurimin e stafit mjekësor për gabimet njerëzore në profesion.

“Sektori shëndetësor është nga natyra përdoruesi më i madh i fuqisë punëtore, prandaj negociata me mjekët dhe stafin mjekësor, janë shumë elementë të rëndësishëm, në mënyrë që pagesat ndaj tyre të marrin vërtet vlerën e shërbimit ndaj pacientit”, u shpreh Hana.

Ajo tha se, vetëm vitin e fundit kanë rënduar buxhetet e spitaleve e 3 raste, 2 në Vlorë e 1 në Lushnje më shumë rreth 31 milionë lekë të reja, që ka lidhje të drejtpërdrejtë me sigurimin e profesionit.

Drejtoresha e ISKSH-së, theksoi se ka pasur raste me hedhjen në gjyq nga ana e pacientëve të mjekëve apo stafit mjekësor për mjekim joprofesional.

“Që fondet të mos ndryshojnë destinacion, duhet të bëhet një ndërhyrje në ligj në mënyrë që mjekët dhe stafi mjekësor të kenë sigurimin e profesionit, sikurse kanë juristët apo profesione të tjera, nga ku mund të mbulohen faturat financiare të gabimeve mjekësore”, u shpreh drejtoresha e ISKSH-se.

a.y/NOA

KOMENTE