English

Kandidimi i Fatos Nanos, Meta: Ende herët për Presidentin

Tiranë, 15 dhjetor 2011, NOA – Pak ditë pasi ish-lideri historik i të majtës, ish-kryeministri Fatos Nano foli në Londër për ambicien e tij disavjeçare në politikë, për të kandiduar për postin e Presidentit të Republikës, sot për këtë çështje ka folur edhe kreu i LSI-së Ilir Meta, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Nanos, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta gjatë një konference për shtyp deklaroi se është ende herët për të folur për zgjedhjen e Presidentit, kur në krye të Shtetit është ende në mandatin e tij, Presidenti Bamir Topi, deri në verën e vitit 2012.

I pyetur nëse LSI, si forca e dytë e mazhorancës në vend, do të mbështesë kandidaturën e Fatos Nanos për postin e Presidentit të Republikës, zoti Meta tha se kjo gjë do të diskutohet në kohën e duhur dhe në koherencë dhe bashkëpunim me Partinë Demokratike.

“Nuk dua t’i jap më shumë rëndësi sa ç’ i takon çështjes së Presidentit, aq më tepër kur jemi ende herët. Është një President tjetër në mandatin e tij. LSI në kohën e duhur do të mbajë qëndrimin e saj dhe do të konsultohet me Partinë Demokratike dhe forcat e tjera politike bazuar në këtë marrëveshje koalicioni”, deklaroi shefi i LSI-së.

Fatos Nano gjatë një interviste të dhënë për “Top-Channel”, në 11 dhjetor, u shpreh se do të përpiqet të gjejë mbështetje në të dyja krahët e politikës për kandidimin e tij për postin e Kreut të Shtetit, duke mos dëmtuar asesi integrimin e vendit.

Kandidatura e Nanos për postin e Presidentit, pritet të mbështetet nga mazhoranca qeverisëse, edhe përpos dëshirës së të djathtës, që në krye të vendit të jetë rishtas një emër nga demokratët.

Sipas analistëve një gur i rëndë në mbështetjen e kandidaturës së Fatos Nanos pritet të jetë mbështetja e LSI-së dhe Ilir Metës, i cili nga një deklaratë e Fatos Nanos kohë më parë në një media televizive, është pjesë e një marrëveshjeje dypalëshe dhjetë-vjeçare, e cila nuk është çudi të përmbyllet me këtë fakt, mbërritjen e Nanos në Presidencë.

Por, kandidatura e Fatos Nanos do të duhet të mbështetet edhe nga opozita, ndërkohë që marrëdhëniet e liderit historik me atë aktual Edi Rama nuk duken të jenë prej disa vitesh në ujëra të mira.

Megjithatë zgjedhja e Presidentit sipas Kushtetutës për t’u miratuar nuk kërkon shumicë të cilësuar, andaj kundërshtimi i opozitës nuk do të ndryshonte gjë.

Deri në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës ka edhe mëse gjashtë muaj kohë.

Gjatë konferencës, Ilir Meta nënvizoi se pranvera e vitit të ardhshëm është e rëndësishme për LSI-së edhe për faktin se do të mblidhet Konventa vjetore ku do të flitet për programin organizativ të kësaj partie.

mit/NOA

KOMENTE