English

Kuvendi miraton shitjen e Albpetrolit

Tiranë, 15 dhjetor 2011, NOA - Pas disa orë debatesh mes mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 72 vota pro dhe 62 kundër, ligjin për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë ‘Albpetrol’ sh.a. Patos", raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Opozita e cilësoi privatizimin e shoqërisë Albpetrol si jo transparent dhe të bazuar në një formulë korruptive.

Deputeti i opozitës Arben Ahmetaj theksoi se formula e privatizimit është artificiale dhe korruptive, duke nënvizuar se nuk është koha e duhur për privatizimin e plotë të Albpetrolit.

“Bëhet fjalë për një aset që mund të vlejë miliarda dollarë, dhe nafta e gazi mund të rivlerësohen në miliarda dollarë, tha Ahmetaj, duke i bërë thirrje qeverisë të ndalë privatizimin, dhe të presë, pasi sipas tij investitorët strategjikë për Albpetrolin nuk do të mungojnë edhe më vonë.

Ndërsa nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli tha se projektligji është jo transparent.

“Në këtë projektligj kuptohet thjeshtë se mungon transparenca për kriteret e vlerësimit të investitorit strategjik. Në rastet e mëparshme, po në këtë industri, qeveria juaj, është akuzuar se kriteret për vlerësimin e partnerëve strategjikë nuk kanë qenë të sakta, madje kanë qenë thjesht kopertura”, u shpreh zonja Kodheli.

Sipas saj, në privatizimin e Albpetrolit, i pari dhe i vetmi duhet të jetë interesi i vendit dhe i popullit.

“Interesi i vendit dhe i shqiptarëve të jetë i pari dhe i vetmi. Vetëm ky interes nuk po merret parasysh me këtë projektligj që pala tjetër kërkon ta bëjë sot ligj”, theksoi deputetja socialiste.

Por, gjatë debateve në sallën e Kuvendit, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço e mbrojti projektin e qeverisë për shitjen 100% të Albpetrolit, duke nënvizuar se nga shitja e kësaj shoqërie në duart e privatit do të siguroheshin fonde për investime publike.

“Fondet që do të përfitohen nga privatizimi i Albpetrolit do të përdoren për investime rrugë, tunele. Fondet do të rriten edhe përmes të ardhurave nga tatimi mbi fitimet”, u shpreh ministri i Ekonomisë.

Sipas ministrit Naço, punonjësve të Albpetrolit të cilët pas shitjes së shoqërisë rrezikojnë të dalin në rrugë, drafti në fjalë u siguron pagën e një viti dhe vjetërsinë e punës.

Por, seanca e Kuvendit po vijon tashmë me interpelancën me Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, e kërkuar nga deputetja e PS-së Arta Dade.

mit/NOA

KOMENTE