English

Kuvendi “OK” privatizimit të Albpetrol dhe Leskajt në krye të KLSH

Tiranë, 15 dhjetor 2011, NOA - Pas disa orë debatesh mes mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 72 vota pro dhe 62 kundër, ligjin për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol’ sh.a. Patos”, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Opozita e cilësoi privatizimin e shoqërisë Albpetrol si jo transparent dhe të bazuar në një formulë korruptive. Deputeti i opozitës Arben Ahmetaj theksoi se formula e privatizimit është artificiale dhe korruptive, duke nënvizuar se nuk është koha e duhur për privatizimin e plotë të Albpetrolit. “Bëhet fjalë për një aset që mund të vlejë miliarda dollarë, dhe nafta e gazi mund të rivlerësohen në miliarda dollarë, tha Ahmetaj, duke i bërë thirrje qeverisë të ndalë privatizimin, dhe të presë, pasi sipas tij investitorët strategjikë për Albpetrolin nuk do të mungojnë edhe më vonë. Ndërsa nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli tha se projektligji është jo transparent. “Në këtë projektligj kuptohet thjesht se mungon transparenca për kriteret e vlerësimit të investitorit strategjik. Në rastet e mëparshme, po në këtë industri, qeveria juaj, është akuzuar se kriteret për vlerësimin e partnerëve strategjikë nuk kanë qenë të sakta, madje kanë qenë thjesht kopertura”, u shpreh Kodheli. Sipas saj, në privatizimin e Albpetrolit, i pari dhe i vetmi duhet të jetë interesi i vendit dhe i popullit. “Interesi i vendit dhe i shqiptarëve të jetë i pari dhe i vetmi. Vetëm ky interes nuk po merret parasysh me këtë projektligj që pala tjetër kërkon ta bëjë sot ligj”, theksoi deputetja socialiste. Por, gjatë debateve në sallën e Kuvendit, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço e mbrojti projektin e qeverisë për shitjen 100% të Albpetrolit, duke nënvizuar se nga shitja e kësaj shoqërie në duart e privatit do të siguroheshin fonde për investime publike. “Fondet që do të përfitohen nga privatizimi i Albpetrolit do të përdoren për investime rrugë, tunele. Fondet do të rriten edhe përmes të ardhurave nga tatimi mbi fitimet”, u shpreh ministri i Ekonomisë. Sipas ministrit Naço, punonjësve të Albpetrolit të cilët pas shitjes së shoqërisë rrezikojnë të dalin në rrugë, drafti në fjalë u siguron pagën e një viti dhe vjetërsinë e punës.

Bujar Leskaj në krye të KLSH Me 70 vota pro, 61 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi miratoi pasditen e të enjtes dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit të ish-ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, raporton agjencia e lajmeve NOA.al. Pas miratimit në Komisionin e Ekonomisë, Kuvendi miratoi sot vetëm me votat e mazhorancës kandidaturën e Bujar Leskaj për postin e kreut të KLSH-së.

Ndërkohë opozita votoi kundër dekretit të Presidentit. Bujar Leskaj gjatë seancës së djeshme në Komisionin e Ekonomisë prezantoi vizionin e tij të drejtimit të KLSH-së duke deklaruar se hapi i parë i tij sapo të marrë detyrën do të jetë dorëzimi i imunitetit të kreut të KLSH-së, një projekt ky i propaganduar nga e djathta. Leskaj tha se do të bashkëpunojë fort me Prokurorinë, në mënyrë që kontrollet e administratës fiskale, të tenderimit dhe dhënies së koncesioneve dhe kryerjes së privatizimeve, të jenë sa më efikase. Ish-ministri i Turizmit Bujar Leskaj, u propozua si kandidat për postin e kreut të KLSH-së nga Presidenti i Republikës Bamir Topi në 17 nëntor. Disa javë më parë demokratët rrëzuan dekretin e parë të Presidentit me kandidaturën e Sali Shehut për postin e kreut të KLSH-së, me pretendimin se ai nuk përmbushte kriteret kualitative për drejtimin e KLSH-së.

NOA

KOMENTE