English

Lexuesi i taksuar, si taksim i leximit

Madje, duke dashur të replikojë nëpërmjet shtypit me kërkesën time në Kuvend për funksionimin normal të TVSH-së mbi librin, ai ka mbetur “i habitur” dhe i shqetësuar po aq, se “…ky propozim konsumoi në mënyrë publike veprën e konfliktit të interesit, madje pa u ndrojtur se konflikti ishte jo i tërthortë e as i perceptuar, por i dukshëm dhe i drejtpërdrejtë”. P

Nga Fatmir Toçi

Kam parë, disi me vonesë me sa duket, një shkrim haluçinant të një deputeti të mazhorancës në rrekje për të argumentuar se librit në Shqipëri i është hequr Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), të cilin në fakt lexuesi dhe në përgjithësi konsumatori shqiptar e paguan pothuaj 20% si dhe për të gjitha taksat e tjera. Më vjen keq ta theksoj që në fillim se ky deputet, që vjen në Kuvend pikërisht nga dikasteri i financës dhe është marrë praktikisht me TVSH-në e mallrave dhe shërbimeve, si në Shqipëri edhe në Kosovë, është i dyti person në Kuvend, pas ministrit të Financave, që nuk ka kuptuar asgjë se si funksionon kjo taksë aktualisht, kur bëhet fjalë për librin, dhe çfarë kërkoi opozita gjatë diskutimit për buxhetin e vitit 2012.

Madje, duke dashur të replikojë nëpërmjet shtypit me kërkesën time në Kuvend për funksionimin normal të TVSH-së mbi librin, ai ka mbetur “i habitur” dhe i shqetësuar po aq, se “…ky propozim konsumoi në mënyrë publike veprën e konfliktit të interesit, madje pa u ndrojtur se konflikti ishte jo i tërthortë e as i perceptuar, por i dukshëm dhe i drejtpërdrejtë”. Po e sqaroj edhe një herë atë dhe të gjithë kolegët e tij ilaritarë që nuk e paskan kuptuar se përse janë ulur në ato karrige të Kuvendit: Unë kam pothuaj 20 vjet që luftoj, bashkë me shumë autorë, botues, tipografë e intelektualë të tjerë për një pozitë më të mirë të librit në Shqipëri dhe në të gjitha trojet ku jetojnë e punojnë shqiptarët; për problemin e taksave, përmirësimin e infrastrukturës së qarkullimit dhe tregtimit të librit, piraterinë, respektimin e të drejtave të autorit, shtimin dhe pasurimin me fonde të bibliotekave publike, raportet e librit me shtetin dhe institucionet e tjera kulturore e shumë të tjera, deri te problemet profesionale edhe brenda vetë komunitetit të botuesve. Mbrojtja e librit dhe e leximit, mbështetja e krijuesve dhe lexuesve, si dhe të gjithë komunitetit të njerëzve që kanë zgjedhur të merren me kulturën është një prej arsyeve pse ndodhem në sallën e Kuvendit. Në respekt të ligjit dhe për shkak të statusit nuk administroj asnjë veprimtari ekonomike, përfshi shtëpinë botuese. Por kjo nuk do të thotë se një deputet që ka qenë botues nuk mund të flasë për librin në Kuvend, që një artist e ka të ndaluar të përfshihet në debatin për ligjin “Për artin”, që një sportist duhet të bëjë indiferentin kur diskutohet për zhvillimin e sporteve, që një inxhinier apo arkitekt, që para se të vinte në Kuvend merrej me ndërtime, nuk mund të flasë për ligjet që kanë të bëjnë më këtë fushë, e kështu me radhë. Përkundrazi, duke qenë specialistë të fushës, mendimi dhe gjykimi i tyre do të ndikonte në vendimmarrje të pjekura dhe të vlefshme për vendin dhe njerëzit.

Po le të kthehemi te problemi i TVSH-së së librit, si aplikohet kjo taksë sot në vend dhe propozimi ynë për futjen në sistem dhe funksionimin normal të ligjit përkatës. Dhe nuk duam të merremi fare këtu me përdorimin politik të vendimit të kësaj qeverie se TVSH-ja mbi librin është zero, si për librat që shesin botuesit shqiptarë, ashtu edhe për librat që vijnë nga importi. Në dukje ajo rezulton e tillë, sepse botuesit dhe librashitësit e çdo forme i shesin librat pa TVSH. Por botuesit dhe librashitësit, në masën mbi 90% të të licencuarve, e ushtrojnë veprimtarinë e tyre si biznes i vogël dhe ambulant, d.m.th., nuk janë subjekt të TVSH-së; Siç shihet fare qartë, është miratuar një ligj që u heq TVSH-në atyre që nuk e paguajnë fare këtë detyrim. Aktualisht, botuesit e paguajnë TVSH-në në shtypshkronja në masën 20% për librat që shtypin, gjithashtu paguajnë me TVSH të gjitha furnizimet dhe shërbimet për nevojat e procesit të tyre botues, siç janë pagesat për energjinë elektrike, telefonat, kancelarinë, blerjet e shërbimet e ndryshme etj. Por, dhe këtu fillon deformimi i sistemit, asnjë prej këtyre furnizimeve nuk mund ta shkarkojnë TVSH-në dhe nuk u njihet si e tillë dhe e gjithë TVSH-ja e mbledhur nga faturimet gjatë muajit shkon si kosto në kopertinat e librave si një masë e pazbritshme dhe e paguajnë lexuesit shqiptarë. Artikullshkruesi, specialist i fushës, është përpjekur të bëjë hokatarin kur përpiqet të komentojë kërkesën tonë se ne po kërkojmë heqjen e TVSH-së së librit që nga pylli, lënda drusore e të cilit do të përdoret për letër, përfshi të gjitha proceset shoqëruese për prodhimin e librit (!). Madje, ky zbulim që ai na i paska bërë qëllimeve tona, ia “paska shtuar dozën e humorit dhe e paska bërë të buzëqeshë kur ka kuptuar me dhimbje që ky propozim është kallp dhe si i tillë nuk mendon të investohesh për të”. Është e thjeshtë për të kuptuar mjerimin e mendimit ekonomik, por edhe përpjekjet mjerane për të manipuluar opinionin me halucinacione të tilla. Dhe vërtet, duke lexuar këto radhë prej militanti, që e vënë në dyshim formimin e tij ekonomik, ka vend jo vetëm për humor dhe buzëqeshje, por të vësh duart në ijë nga gazi që të rrëmben vetvetiu.

E ritheksojmë edhe një herë se shqetësimi ynë, i ngritur vazhdimisht gjatë gjithë kësaj periudhe, është deformimi i ligjit për TVSH-në në rastin e prodhimit dhe qarkullimit të librave. Dhe ky funksionim anormal i këtij ligji në rastin e prodhimit dhe shpërndarjes së librave, siç edhe u pranua pa dashje nga ministri i Financave gjatë debateve në Kuvend për këtë çështje, sjell pasoja negative në disa drejtime:

Së pari, duke parë praktikën aktuale të funksionimit të TVSH-së, e cila nuk ndikon realisht në heqjen e tatimit mbi librin, duke ngelur në kuadrin e një propagande politike me qëllime elektorale;

së dyti duke dëmtuar rëndë industrinë poligrafikë vendase ku punojnë jo pak, por mbi 3000 punonjës, pjesa më e madhe të specializuar; goditja për zhvillimin e këtij sektori është e ndjeshme, kur dihet se ajo mbahet kryesisht me porositë e botuesve shqiptarë, përfshi këtu edhe librat shkollorë me rreth 10 milionë copë tekste që botohen çdo vit.

së treti, diskriminon prodhimin vendas për shkak të praktikave favorizuese të botimeve të huaja dhe librave që shtypen jashtë, të cilat hyjnë nga vendet e tjera të pataksuara;

së katërti, ndikon në rritjen e papunësisë, në vend që të synohet e kundërta, për shkak të interesit të botuesve për të botuar jashtë më lirë dhe me cilësi më të lartë, ndërkohë që kufizohet prodhimi vendas duke zvogëluar ose mbyllur ndërmarrjet poligrafike;

së pesti, rrit tendencën negative të nxjerrjes jashtë vendit të një pjese të valutës për botimin e librave në vendet e tjera, kur ajo mund të përdorej për prodhim dhe investime brenda vendit; së gjashti, stimulon evazionin fiskal për shkak të deformimit të zbatimit të TVSH-së mbi librin.

Lehtësimi i librit nga taksat, përfshi edhe tatimin për të cilin po diskutojmë, ka qenë një kërkesë e vazhdueshme, tepër e rëndësishme për të lehtësuar sadopak lexuesin shqiptar dhe nxitjen e leximit ndër shqiptarët. Pse ky mosvlerësim apo urrejtje ndaj komunitetit të njerëzve që merren me kulturën e shkruar? Asnjëherë nuk është kuptuar pse kanë hezituar vazhdimisht qeveritë shqiptare që kanë drejtuar vendin në 20 vjetët e fundit për ta reduktuar apo bërë “zero” Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nga libri, kur bëhet fjalë për mbështetjen dhe zhvillimin e letërsisë kombëtare; kur ky lehtësim do të ndikonte për shtimin e të lexuarit; për qytetërimin dhe kulturimin e shoqërisë shqiptare; kur ndikimi në buxhetin e shtetit nuk është aq i ndjeshëm dhe i papërballueshëm në raport me impaktin pozitiv në gjithë shoqërinë; kur praktikat europiane dhe mbarëbotërore janë me tendenca lehtësuese (nga 0 – në 4 ose 5% TVSH) kur bëhet fjalë për prodhimin dhe shpërndarjen e librit.

Çfarë është kërkuar vazhdimisht gjatë këtyre viteve dhe çfarë kërkova konkretisht në komisionet parlamentare dhe në seancën e Kuvendit gjatë diskutimit të buxhetit të vitit të ardhshëm? As më shumë e as më pak se futja në sistem dhe funksionimin normal të TVSH-së mbi librin, me tendencë uljen ose heqjen, siç e kanë vendet e tjera që dinë ta çmojnë vlerën e pazëvendësueshme të kulturës dhe librit. Pasqyrimin e këtyre ndryshimeve në ligjin “Për librin” dhe “Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, duke i paraprirë, siç u shpreh (më në fund) edhe ministri Bode në seancën plenare të Kuvendit, me një diskutim të gjerë me specialistët, të gjitha grupet e interesit dhe aktorët e tjerë që operojnë në këtë fushë. Në fakt, kjo është kërkesa e kahershme e komunitetit të librit: Të mos taksohet libri për një mundësi më shumë të shqiptarëve që të rendin pas tij dhe ta bëjnë pronë të tyre. Thirrja e shkrimtarit të njohur Umberto Eco, i ftuar në një prej panaireve ndërkombëtare të librit në Frankfurt: “mos e taksoni leximin!”, është më aktual se kudo për qeverinë shqiptare.

Gjithsesi, më mirë vonë se kurrë.

"Shqip"

KOMENTE